E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e parave, nevojë edhe për borxh nga jashtë



Insistimi i qeverisë, duke rritur normën e interesit, sigurisht që tregon se shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet nuk janë fort mirë. Deficiti buxhetor në fund të katërmujorit arriti në 52 milionë USD, nga 28 që ishte parashikuar. Por, problemi më i madh është se pjesa dërrmuese e deficitit është financuar nga bankat e nivelit të dytë, me anë të bonove të thesarit, duke e tejkaluar me rreth 800 për qind planin e parashikuar. Kjo ka sjellë që e gjithë strategjia e financave, për të ulur financimin e deficitit nga bankat e nivelit të dytë, duke e zëvendësuar atë me financim nga jashtë, të dështojë. Financat, në fillim të vitit theksuan se do t'i bëjnë presion bankave, duke mos emetuar bono thesari, për të dhënë më shumë kredi. Por të paktën për katër muajt e parë ka ndodhur e kundërta. Një arsye tjetër, është kërkesa e madhe për euro që ka qeveria për të paguar investimet e huaja. Në buxhetin fillestar për vitin 2010 u parashikuar që për segmentin Rrëshen-Kalimash, totali i shpenzimeve të ishte 3 miliardë lekë. Gjatë katër muajve të parë të vitit, qeveria pagoi rreth 6.3 miliardë lekë, pra rreth 210 për qind më shumë se plani. “Bectel-Enka” ka lidhur një kontratë, e cila paguhet në euro dhe akoma rruga nuk ka përfunduar. Kjo mund të jetë një arsye e fortë e qeverisë për të marrë borxh në euro. Një arsye tjetër e fortë është ajo që rreth 200 milionë euro nga eurobondi do të shërbejnë për të shlyer kredinë sindikale të një viti më parë me të njëjtën vlerë, për të paguar sërish rrugën Rrëshen-Kalimash. Vetëm interesat, që duhet të paguhen më 28 maj arrijnë në 10 milionë euro.

Ndryshimi i tavanit, negociatorëve u lihet më tepër hapësirë

Kuvendi e miratoi në fshehtësi rritjen në 8.5 për qind të tavanit, për të lejuar agjentët e dy bankave të kishin më shumë hapësirë negocimi në tregje. Qeveria ka zgjedhur “Deutsche Bank AG, London” dhe “J.P. Morgan Securities, LTD”, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të eurobondit. Në ligj theksohet se janë pikërisht këto dy gjigantë bankarë, që kanë këshilluar në fillim qeverinë shqiptare, që tavani i interesit për eurobondin të jetë 7.5 për qind. Nga ana tjetër, sipas burimeve nga qeveria, janë sërish këto dy banka që kanë kërkuar rritjen e mundësisë për negocim në tregje, duke rritur me 1 për qind tavanin e interesit. Situata u përkeqësua ndjeshëm, pas krizës financiare greke dhe aktualisht, shumë vende si Çekia, Polonia, Kroacia janë duke pritur, ashtu si edhe Shqipëria, një moment të dytë për shitjen e eurobondeve. Të dhënat tregojnë se para deklaratës së Ministrit të Financave të Greqisë, rreth dy javë më parë, për pamundësi financiare, norma e interesit që ju ofrua Shqipërisë ishte diku te 6.7 për qind. Ndërkohë që fill pas kësaj deklarate ky interes shkoi në 7.8 për qind. Kjo ishte arsyeja që “Deutsche Bank” dhe “J.P. Morgan”, kërkuan rritjen e hapësirës së negocimit deri në 8.5 për qind. Rritja me 1 për qind e interesit do të thotë që vetëm për një vit, për një kredi 400 milionë euro Shqipëria të paguajë 4 milionë USD më shumë. Ose rreth 20 milionë USD më shumë për 5 vite.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›