E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushatë në rrethe, të djathtët kërkojnë votëbesimin për të përmbushur ëndrrën e shqiptarëve


Doda: Gratë shtylla kryesore e zhvillimit të Shoqwrisë


Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për  Qarkun e Fierit, Mesila Doda, në një takim me gratë e komunës Topojë, ka vënë në dukje reformat civilizuese në këto katër vite për integrimin dhe pjesëmarrjen e grave në jetën politiko-shoqërore të vendit. "Ligjërimi i pjesëmarjes së gruas në Kuvend si dhe shumë nisma ligjore dhe organizative për mbrojtjen e grave nga dhuna, ruajtjen dhe kujdesin shëndetësor, arsimimin dhe punësimin e tyre janë shprehja më konkrete e vlerësimit të PD-së për gruan dhe rolin e saj në shoqëri", tha Doda. Duke folur për nismat më të rëndësishme politike në vlerësimin e rolit të gruas, mbrojtjen fizike, morale dhe shëndetësore të saj, politikat për rritjen e rolit të tyre drejtues në shoqëri, Doda shtoi se "kemi tentuar të punojmë në drejtimet më të rëndësishme ku ndihet më i nevojshëm kujdesi ndaj gruas". Ndër masat në mbrojtje të grave, ajo përmendi disa fushata sensibilizuese për ekzaninimin e kancerit të gjirit dhe kancerit të mitrës, punën për çlirimin e gruas nga dhuna brenda familjes, kuadrin ligjor kundër trafikimit të qënieve njerëzore, veçanërisht të grave dhe vajzave, si një dukuri që para disa vitesh mori përmasat e një drame të vërtetë. "Ndryshimi i Kodit Penal për përcaktimin e dhunës në familje, krijimi i komiteteve rajonale kundër trafikimit të qënieve njerëzore, janë ndër masat që qeveria dhe parlamenti shqiptar hartuan për kornizën e plotë ligjore për mbrojtjen e gjithanshme të gruas, emancipimin dhe çlirimin e shoqërisë nga dhuna", theksoi Doda. Sipas saj, në respektim të vlerave dhe aftësive të gjithanshme të gruas për herë të parë në historinë e politikës shqiptare u përcaktuan kuotat e përfaqësimit të sajë në parlament, në masën 30%. 


Starova prezanton kandidatët në Gjirokastër


Kryetari i Bashkimit Liberal Demokrat (PBLD) Arjan Starova prezantoi dje në mbrëmje kandidatët për deputetë në qarkun e Gjirokastrës. Duke iu përgjigjur interesimit të medias mbi mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të ecurisë së ngadaltë të procesit të pajisjes më karta të qytetarëve, apo për një ndonjë bojkot të mundshëm të partive të koalicionit të majtë, z. Starova tha se "shtyrja apo bojkoti i zgjedhjeve është një aventurë e së majtës në rrethanat e rritjes së ndjeshmërisë së tyre për humbjen e sigurt në 28 qershor". Starova tha se shtyrja e zgjedhjeve është një fenomen dhe dukuri që kërkon detyrimisht konsensusin politik të palëve, ndërsa bojkoti është një sjellje politike e së majtës shqiptare, që nuk njihet në perëndim.  "Ne që jemi mësuar me bojkotin dhe urrejtjen e së majtës për votën dhe demokracinë, një qëndrim i tillë përjashtues nuk sjell asnjë habi, por në vendet e demokracisë së përparuar, ku ne tashmë bëjmë pjesë si anëtarë të NATO-s, qëndrime të tilla bojkotuese ngjallin gjithmonë habi dhe lënë pas shijen e keqe të nivelit të ulët të të kuptuarit dhe zbaturarit të demokracisë", tha Starova. Starova i pari në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Gjirokastrës , ndiqet nga kandidati Ermal Ngjelina, gazetar.

Kandidati Roshi në Elbasan: Vota e shqiptarëve si në vendet e përparuara të perëndimit


Partia Balli Kombëtar Demokrat hapi dje në mbrëmje fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit, me sloganin  “Zgjidhni më djathtas”. “Ne jemi në krahun e PD-së, pasi kemi bindjen se të majtët nuk janë alternativë për shqiptarët. Të gjithë shqiptarët duhet të orientohen djathtas, ashtu si janë orientuar të gjitha vendet e përparuara të Perëndimit", tha në fjalën e tij Kryetari i PBKD-së, Artur Roshi, pasi prezantoi kandidatët për deputetë për qarkun e Elbasanit, mes tyre dhe biznesmenin e njohur Fatbardh Doko.  Z.Roshi u ndal dhe tek programi i kësaj partie, duke nënvizuar se prioritet është çështja kombëtare. “Ne do të punojmë që mallrat e Kosovës dhe Shqipërisë të lëvizin midis nesh pa barriera, pa taksa doganore, do të punojmë që tekstet shkollore në Kosovë e Shqipëri të unifikohen”. Ai theksoi se në 4 vitet e ardhshme, PBDK do të punojë për rishkrimin me vërtetësi të historisë së kombit tonë si dhe do të kërkojë dëmshpërblimin dhe respektimin e ish të përndjekurve politikë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›