E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Vlorës deklaron se Transballkanikja ka mbaruar 60%

Mashtrimet e Berishës në fushatë
Vetëm një ditë pasi kryeministri i vendit Sali Berisha në krye të 200 partizanëve të tij preu shiritin e përurimit të rrugës Transballkanike në qytetin e Vlorës, bashkia e Vlorës deklaron se nuk do ta marrë në dorëzim këtë rrugë, në të cilën sipas saj kanë përfunduar vetëm pak më shumë se gjysma e punimeve. Nënkryetari i bashkisë, Halim Dervishi ka bërë të ditur publikisht se institucioni i bashkisë ndihet i zgjënjyer nga përurimi i kësaj rruge, në të cilën janë kryer vetëm 60 % të punimeve dhe për këtë shkak, kjo bashki nuk do ta marrë në dorëzim për asnjë arsye. Lidhur me hartimin e projektit të kësaj rruge, Dervishi ka vënë në dukje faktin se planrregullimi i kësaj rruge nuk është vepër e kësaj partie, por ka qenë një plan i miratuar më parë se kjo parti të vinte në pushtet. Megjithatë, sapo u hap fondi dhe kryeministri aktual Sali Berisha erdhi të përuronte fillimin e punimeve, kjo bashki me në krye vetë kryetarin Shpëtim Gjika kanë dalë dhe e kanë pritur kryeministrin dhe kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve duke vënë interesin e qytetarëve të Vlorës mbi interesat e partisë. Njëkohësisht, nga ana e kësaj bashkie ka një korrespondencë të stërzgjatur me pothuajse të gjitha ministritë që kanë pasur kontratë për këtë rrugë për të bërë më të mirën njëherë e mirë dhe jo secila prej tyre të shikojë vetëm mundësitë e saj. Kjo është bërë për të mundësuar shfrytëzimin në maksimum të fondit prej 10.2 milionë dollarë të vënë në dispozicion për këtë rrugë. Mirëpo asnjë prej letrave të argumentuara dërguar këtyre ministrive nuk është marrë parasysh dhe sot kjo rrugë është me mangësi të mëdha. Mangësitë fillojnë që nga fakti i mospërfundimit prej investitorëve të trotuareve të planifikuara për këtë rrugë. Po ashtu tek kjo rrugë nuk ka përfunduar, madje nuk është filluar fare ndriçimi i saj, pa përmendur më pas gjelbërimin anësor të saj që është planifikuar qysh më parë. Aktualisht në këtë rrugë nuk ka asnjë tabelë sinjalistike, as vertikale dhe as horizontale. Sipas Dervishit në këtë përurim ka edhe një tjetër problem madhor. Vetëm pas pak ditësh kjo rrugë do të rihapet përsëri sepse aty do të kalojë tubacioni kryesor i ujësjellësit të ri të qytetit që ndryshe nga kërkesa e bërë nga bashkia për të kaluar në trotuaret e kësaj rruge, do të kalojë mes për mes saj. Po ashtu, bashkia e qytetit i ka bërë kërkesa të herëpashershme Kryeministrisë, duke i kërkuar edhe ballafaqim specialistësh për të bërë të mundur kalimin e rrjetit elektrik po në trotuare, por edhe kjo ka qenë e pamundur të bëhet realitet. Një problem më vete dhe shumë shqetësues ka qenë dhe mbetet problemi i shpronësimeve. Në projekt planin e përgjithshëm të kësaj rruge janë është planifikuar shpronësimi për 60 metra gjerësi rruge ndërkohë që realisht është bërë shpronësimi vetëm për 32 metra dhe kjo me shumë zhurmë dhe e pasuar me dhjetëra greva, disa prej të cilave edhe urie ku pronarët e banesave kërkonin dëmshpërblim, një pjesë e të cilëve ende nuk i kanë marrë.Dervishi u shpreh gjithashtu se partitë politike edhe ajo e kryeministrit Sali Berisha mund të bëjnë fushatë elektorale dhe të bëjnë me shumicë prerje shiritash përurimi të rrugëve dhe infrastrukturës tjetër, por jo duke mashtruar siç është rasti në rrugën Transballkanike. Ai po ashtu është shprehur se institucionalisht nuk kanë qenë të ftuar në këtë përurim por edhe sikur të kishte ardhur ftesa nuk do të merrnin pjesë sepse nuk do të donin të ishin pjesëmarrës në një mashtrim total për qytetarët vlonjatë, që shohin përditë vetë se sa punime janë bërë në këtë rrugë. Dervishi ka theksuar se tashmë janë konsumuar rreth 7 milionë dollarë për punimet në këtë rrugë por shuma e mbetur nuk është e mjaftueshme për të përballuar punimet e tjera që duhen kryer në këtë rrugë, që vetëm në pak muaj që është bërë e kalueshme ka marrë 4 jetë njerëzish dhe më së shumti nga shuma e mbetur e lekëve për këtë rrugë për ruajtjen e jetës së kalimtarëve duhet menduar. Në të tilla kushte, duke qenë të ndërgjegjshëm se rruga Transballkanike nuk ka mbaruar dhe se ka edhe afërsisht 40% të punimeve pa mbaruar sipas Dervishit, as që bëhet fjalë për ta marrë atë në dorëzim nga ana e bashkisë që është realisht pronare e kësaj rruge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›