E Diel, 1 Nëntor 2026

Akreditimi. Universiteti i Tiranës, përfundon vetëvlerësimi i fakulteteve

Javën e ardhshme do të publikohet raporti me të dhënat për çdo fakultet. Nis së shpejti vlerësimi i jashtëm i UT-së nga një kompani e huaj

Jonida Tashi

Tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar procesin e vetëvlerësimit, që është faza e parë e akreditimit. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se të dhënat e dala nga procesi i vlerësimit të brendshëm të fakulteteve do të publikohen javën e ardhshme përmes një raporti që po punohet nga rreth 30 pedagogë.
Raporti
Në këtë raport do të pasqyrohen të dhënat për gjendjen infrastrukturore të fakulteteve, të dhënat për stafin akademik, studentët etj. I pari në garën për cilësinë universitare është futur Universiteti i Tiranës, ndërkohë që në listën e të akredituarve tashmë janë tre emra të institucioneve private të arsimit të lartë me qendër në kryeqytet. Pas përmbylljes së vlerësimit të brendshëm nga vetë universitetet dhe dorëzimit të raportit në Agjencinë e Akreditimit fillon edhe vlerësimi i jashtëm. Ky mund të realizohet nga vetë Agjencia e Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit, ose nga ndonjë kompani e huaj prestigjioze në fushë. Propozimin për këtë çështje e bën vetë universiteti i interesuar për akreditimin. Universiteti i Tiranës ka vendosur që të kontraktojë një kompani të huaj për të bërë vlerësimin e tij.
Akreditimi
Menjëherë pas përfundimit të procesit të vetëvlerësimit, UT do t’i kërkojë agjencisë gjermane më prestigjioze të akreditimit në Europë, “AQUIN”, që të realizojë akreditimin e Universitetit të Tiranës. Lidhja e Rektoratit të UT-së me agjencinë “AQUIN” nisi vitin e kaluar, gjatë një takimi të organizuar me përfaqësues të "AQUIN" në Gjermani, ku ishte i pranishëm edhe rektori Dhori Kule, i cili, me autorizim të kryeministrit Sali Berisha, fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e agjencisë gjermane “AQUIN”, ku bisedoi për zbatimin e procedurave të vlerësimit të jashtëm dhe të akreditimit. Me realizimin e akreditimit, UT do të asistojë më vonë edhe në procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Fazat
Vlerësimi i Jashtëm i Cilësisë në Arsimin e Lartë do të implementohet në tri faza. Faza përgatitore përcakton se Agjencia Shqiptare e Akreditimit dhe kompania vlerësuese do të hartojnë planin kalendar dhe planin e vlerësimit. Ndërkohë që procesi i vlerësimit të universiteteve dhe Agjencisë Kombëtare të Akreditimit të Arsimit të Lartë do të bëhen paralelisht. Në këtë proces Agjencia e Akreditimit ka për detyrë të sigurojë informacionin e nevojshëm për çdo universitet, ndërsa kompania vlerësuese do të hartojë dhe prezantojë listën për vlerësimin institucional. Pas kësaj, grupi i ekspertëve do të verifikojë në vend të gjitha universitetet publike dhe private sipas axhendës së përgatitur. Agjencia do të koordinojë dhe asistojë të gjithë procesin e verifikimit në vend dhe respektimin e programit paraprak. Faza e fundit përcakton se grupi i vlerësimit paraqet raportet individuale të vlerësimit për çdo universitet të vlerësuar dhe raportin e vlerësimit për agjencinë.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›