Transplantimi i veshkave, shtyhen sërish operacionet
Transplantimi i veshkave në QSUT do të shtyhet në një afat të ri, pasi pala italiane që do të asistojë në operacionet e para nuk ka mundur të vijë në afatin e caktuar. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, u shpreh se pala italiane mendohet të vijë në Shqipëri në fund të muajit mars, ku do të bëhen dhe ndërhyrjet e para kirurgjikale. Kështu, ndërhyrjet e para të planifikuara për në muajin janar mendohet se do të realizohen diku nga java e tretë e marsit. Nestor Thereska bën të ditur se ky është vendimi i palës italiane, detyrimi i pranisë të së cilës në ndërhyrjet e para parashikohet në kontratë. Sipas shefit të Nefrologjisë dhe një prej mjekëve të ekipit të specializuar për të realizuar transplantimin e veshkës, nga ana e spitalit nuk ka asnjë pengesë. Sipas Thereskës, është realizuar salla për ndërhyrjen e këtij transplantimi dhe laboratori imunologjik gjithashtu. Mjekët shqiptarë pretendojnë se në vit mund të kryejnë rreth 20 transplantime të veshkës. Operacioni i transplantimit të veshkës është një ambicie disavjeçare e mjekëve të spitalit “Nënë Tereza”, por ai është zvarritur vit pas viti. Tashmë mbetet që këtë herë të fillojë kryerja e operacioneve që është premtuar prej disa vitesh. Aktualisht janë rreth 200 pacientë, të cilët vuajnë stadin e fundit të sëmundjes së veshkave dhe në pamundësi të transplantimit trajtohen në hemodializë. Ndërkohë që janë përcaktuar dy vajzat e para që do të kryejnë transplantimin e veshkës. Dhurues të veshkës janë të afërmit e tyre, pasi u është bërë përputhshmëria e veshkës më atë të dhuruesit. Kështu, në momentin që mjekët italianë do të vijnë në QSUT, do të jenë dy vajzat që do t’i nënshtrohen falas operacionit. Ndërsa janë 15 pacientë të tjerë që kanë gjetur dhuruesit dhe janë të pritje të përcaktimit të datës që do të bëhet ndërhyrja në QSUT. Operacionet e para do të jenë falas në bazë të kontratës që është bërë me palën italiane.
26 Shkurt 2009