Rama në Budapest, takim bashkëpunimi me kryebashkiakun
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, vizitoi Budapestin, ku pati takime me kryebashkiakun Demski dhe kryeministrin Gurcan. Në Bashkinë e Budapestit u diskutua për zhvillimin e një partneriteti që synon aksesin në fondet e Bashkimit Europian për qytetet e vendeve joanëtare. Këto do të arrihen përmes bashkëpunimit mbi bazë projekti me qytete të vendeve anëtare. Kryebashkiaku Demski, i cili e qeveris kryeqytetin hungarez prej 18 vitesh, shtroi disa opsione të mundshme në kuadrin e këtij bashkëpunimi të veçantë dhe ofroi ndihmën e ekipit të tij për të hartuar projekte konkrete zhvillimi me interes reciprok për Tiranën e Budapestin.
Në takimin me kryeministrin Gurcan biseda u përqendrua te zgjedhjet e ardhshme dhe domosdoshmëria për të garantuar standardet e një vendi, që në prill do të jetë në NATO dhe që synon po ashtu integrimin në BE. Rama i shprehu partnerit hungarez shqetësimin për shenjat e papëlqyeshme të procesit të zvarritur, të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti dhe e siguroi kryeministrin Gurcan për vendosmërinë e opozitës shqiptare. Opozita, sipas Ramës, do të bëjë gjithçka që vendi të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të shpejtojë hapat e tij drejt Bashkimit Europian.
Qeveria i kalon nën administrimin e Bashkisë së Tiranës trojet me interes vendor
Qeveria vendos të lërë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës të gjitha trojet që janë me interes vendor. Të tilla janë të gjitha ato troje që do të shërbejnë në ndihmë të qytetarëve në nevojë, të cilët do të trajtohen me një nga programet sociale të Bashkisë së Tiranës. Vendimi i djeshëm i qeverisë vendosi “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të parashikuar nga “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm. Kështu, Këshilli i Ministrave, vendosi përkatësisht që përmasat e pronës Fonder-Mek, sha, të kalojnë në administrimin e Bashkisë së Tiranës. Në këtë pronë janë parashikuar që të ndërtohen mbi 300 banesa sociale.
26 Shkurt 2009