KLD-ja: Proceset në Durrës nuk duhet të zgjasin pa arsye
Tiranë – “Veprime më të shpejta nga gjyqtarët dhe gjetja e një mënyre për ta kapërcyer këtë shqetësim të qytetarëve”, - kanë qenë disa nga kërkesat e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i pranishëm dje në analizën e punës për vitin 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në Durrës. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, Ervin Metalla, gjatë raportit të punës për vitin 2008, ka theksuar se në 5 vitet e fundit Gjykata e Shkallës së Parë ka një rritje të vazhdueshme prej mesatarisht 10 për qind të volumit të çështjeve që gjykohen në një vit. Sipas tij, gjatë vitit 2008, kjo gjykatë ka marrë në shqyrtim 7747 çështje gjithsej, 518 urdhra ekzekutimi, si dhe 946 kërkesa paraprake. Metalla nënvizoi se 71 për qind e këtyre çështjeve janë pranuar nga Gjykata e Apelit, duke lënë në fuqi të njëjtin vendim, ndërsa pjesa tjetër janë rrëzuar ose kthyer për rishqyrtim. Metalla ka kritikuar avokatët për shtyrjen e pajustifikuar të seancave gjyqësore. Kryetari i Gjykatës së Apelit, Petrit Çeno, theksoi se gjyqtarët e Apelit janë mjaft të ngarkuar dhe mjaft çështje janë mbartur që nga viti 2005. Gjatë vitit 2008, kjo gjykatë ka regjistruar 2172 çështje dhe ka përfunduar 1456 prej tyre.
26 Shkurt 2009