E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi Onkologjik, qendër të re për pacientët ditorë të prekur nga tumoret

Spitali ditor në QSUT pritet të hapet në muajin shtator. Specialistët flasin për shtim të rasteve me tumor. Rreth 4 mijë raste të reja

Emanuela Sako

Shërbimit të Onkologjisë në QSUT do t’i shtohet një shërbim tjetër, që do të shërbejë vetëm si qendër ditore. Në këtë qendër do të trajtohen të gjithë pacientët e prekur nga tumoret, ku do të marrin vetëm trajtim ditor dhe më pas do të largohen për në shtëpitë e tyre. Për këtë arsye, për të trajtuar të sëmurët që janë në stade të avancuara, përveç shërbimit onkologjik në banesë, është menduar të ngrihet një spital ditor, i cili do të sjellë edhe risi. Ndërsa një pjesë tjetër, që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, me rekomandimin e mjekut, do të drejtohen në Spitalin e Onkologjisë në QSUT. Deri sot, një pjesë e pacientëve i jepej shërbimi në banesë, gjë që nuk është e mundur të bëhet çdo ditë dhe për shkak të mungesës së aparaturave.
Rastet
Çdo vit në Shqipëri evidentohen afro 4 mijë raste të reja të pacientëve të prekur nga kanceri. Mjekët onkologë japin alarmin se kjo shifër vjen në rritje nga viti në vit. Henrik Zotaj, drejtori i Shërbimit Onkologjik në Banesë, shprehet se ka katër mijë të prekur nga kanceri çdo vit. Kjo shifër vjen në rritje, ndërsa specialistët sqarojnë se do të sjellim metoda të reja në ndërhyrjen e dhimbjeve. Spitali ditor pritet të hapet në muajin shtator dhe do të mundësohet me ndihmën e Giffoni Festival Film, i cili disa ditë më parë ka realizuar në Itali një trajnim me disa mjekë onkologë shqiptarë. Ndërkaq, një grup tjetër mjekësh onkologë pritet të nisen në drejtim të Italisë për t’u trajnuar në fushën paliative dhe dhimbjen. Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj, gjatë një konference për shtyp u shpreh se edhe pse ky shërbim ekziston në Tiranë, ka ardhur koha që ai të zgjerohet dhe përmirësohet.
Vdekjet
Rreth 2800 persona në vit vdesin nga sëmundja e kancerit. Të prekurit nuk kanë mundësi shpëtimi, pasi nuk e kryejnë diagnostikimin në kohën e duhur. Mjekët sqarojnë se kapja e sëmundjes në kohën e duhur jep më tepër mundësi jetese për personat e prekur. Kjo shifër është tepër e lartë për numër popullsie dhe specialistët sqarojnë se numri i të prekurve po shkon drejt rritjes. Të prekurit janë të moshave të ndryshme, por me rrezik madhor sëmundja paraqitet te femrat. Për parandalimin e kësaj sëmundjeje te femrat janë bërë projekte që kanë rezultuar të sakta dhe që kanë shpëtuar jetën e shumë grave. Ekzaminimet e gjirit po kryhen falas, falë programit “INTERREG III”, i financuar nga Komuniteti Europian, përmes rajonit të Pulias (Itali) për Shqipërinë, që tani është në përfundim. Specialistët sqarojnë se tumoret shkaktohen nga ndryshimi i kushteve të jetesës, ku mungon aktiviteti fizik, mënyra e ushqyerjes, konsumimi i alkoolit, i duhanit etj.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›