Biznesi, kundër pajisjeve fiskale
Bizneset e vogla në Korçë kanë dalë kundër vendosjes së kasave fiskale. Në prag të përfundimit të afatit, për vendosjen e kasave fiskale, biznesi i vogël ka ngritur pretendimin se çmimet e tyre janë shumë të shtrenjta dhe nuk mund të përballohen nga njësitë e vogla tregtare. "Kasat janë shumë të shtrenjta. Një kasë kushton 70 mijë lekë të reja dhe një biznes i vogël e ka të papërballueshëm këtë çmim, në kushtet kur ka një rënie të madhe të aktivitetit. Kjo bëhet vetëm sa për të shitur disa kasa me çmim të lartë dhe pa favorizuar aspak biznesin. Në rast se qeveria do të krijonte kushte të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe në rast se nga pushteti lokal do të luftohej informaliteti, mund të na kërkohej kushti për të vendosur kasat fiskale, por në këto kushte ne nuk pranojmë aspak, pavarësisht nga gjobat që kanë paralajmëruar për njësitë e vogla", shprehet kryetari i Shoqatës së Biznesit, Albert Nasto. Sipas tij, biznesi nuk mund të ndëshkohet me gjoba për mospajisjen me kasa dhe t’ju kërkohet vendosja e tyre në kushtet kur tregu vazhdon të konkurrohet nga njësitë e palicencuara dhe ka një nivel të lartë informaliteti. Bizneset shprehen se pjesa më e madhe e njësive punojnë në të zezë, pa paguar as një detyrim ndaj shtetit dhe pa u shqetësuar për vendosjen e kasave fiskale. "Bizneset trajtohen në mënyrë preferenciale. Shumë nga njësitë janë pa licenca dhe nuk ju kërkohet llogari. Krahas detyrimeve dhe taksave të larta që paguajnë tani, duhet të paguajmë më shumë për blerjen e kasës", thotë Nasto. Bizneset e vogla janë shprehur se nuk do të kryejnë vendosjen e kasave, pavarësisht nga gjobat që shkojnë deri në 100 mijë lekë.
#