E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksi “Tiranë-Durrës” përgjaket nga aksidentet, një i vdekur, 4 të plagosur



GOLEM – Edhe gjatë 36 orëve të fundit rrugët e Tiranës dhe Plazhit të Durrësit e më gjerë, sërish janë përgjakur nga aksidentet rrugore duke shkaktuar të paktën pesë viktima. Në Golem, Argetil Nurkaj, 27 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar motorin tip “Yamaha”, me targa DE 70373, mbeti i vdekur mbrëmjen e së premtes, pasi u përplas fatalisht nga një fuoristradë. “Bashkim Hoxha, 42 vjeç, banues në Golem, Kavajë, e përplasi të riun me motor, teksa drejtonte automjetin tip “Honda”, me targa BM 252 DT. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë thanë se ata kryen arrestimin në flagrancë të emigrantit Hoxha, për konsumim të veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Po nga shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë, dy ditë më parë u krye arrestimi i flagrancë i 26-vjeçarit Ylber Demrozi, lindur dhe banues në këtë qytet. “Arrestimi i tij u krye sepse dje në superstradën Durrës-Kavajë, në Golem duke drejtuar automjetin tip BMË, me targa KJ 4245 A, është fërkuar me mjetin tip “Toyota”, me targa DR 2487 E dhe më pas ka humbur kontrollin duke goditur nga mbrapa automjetin tip “Honda”, me targa TR 9619 E”, - pohoi policia. Si pasojë e kësaj goditjeje është plagosur vetë drejtuesi i mjetit Ylber Demrozi si dhe 48-vjeçarja Katerina Maneka, banuese në Tiranë, e cila ndodhej pasagjere në automjetin me targa TR 9619 E.
E plagosura, aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për Demrozin u kryen veprimet proceduriale dhe tani ai përballet me akuzën për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ndërsa në kryeqytet, policia arrestoi shtetasin Besnik Kovaçi, 66 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin motokarro, me targa TR 0004 C, aksidentoi në afërsi të shkollës “Hari Fultz” këmbësorin Sotir Manushi, 86 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Vetëplagoset në gjendje të dehuri 35-vjeçari nga Shkoza

TIRANË – Ishte i dehur dhe nuk dinte se ç’bënte. Kaq e vërtetë është kjo sa nuk ka kursyer edhe veten 35 - vjeçari nga Tirana, teksa vërtiste nëpër duar armën e zjarrit të cilën e mbante pa leje. Burimet policore thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 janë njoftuar rreth orës 15:45 se në ambientet e një banese në Shkozë është vetëplagosur me armë zjarri shtetasi Lulëzim Aliu. Menjëherë në vendin ngjarjes shkoi grupi hetimor, ku kreu të gjitha veprimet hetimore e procedurale. Dyshohet se Aliu në gjendje të dehur, ka qenë duke luajtur me armën e zjarrit, ku në mënyrë të pa vullnetshme ka shkrepur armën dhe është plagosur në këmbë. 35 - vjeçari, banues në Shkozë aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe nga kontrolli i ushtruar në ambientet e jashtme të banesës së tij u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, 4 krehra me fishekë, të cilat i mbante pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›