Opozita: Shtatë dështimet e bujshme të qeverisë “Berisha” në 7 muajt e 2008-s
Shaban Sulçe
Ndonëse kryeministri Berisha ka vetëshpallur një sërë suksesesh në analizën 7-mujore të qeverisjes së tij për vitin 2008, bilanci real është krejt ndryshe. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij shënojnë të paktën 7 dështime të bujshme gjatë këtij viti, të cilat janë krimi shtetëror i Gërdecit, thellimi i nivelit të korrupsionit, i varfërisë e i papunësisë, rënia e cilësisë së jetesës, kriza në ekonomi dhe investimet e pakta në infrastrukturë. Të gjitha këto dështime janë shprehur dje nga përfaqësuesit e tre partive opozitare, PS, LSI dhe PSD. Partitë në fjalë e kanë akuzuar kryeministrin Berisha se në analizën e zhvilluar nuk bëri gjë tjetër veçse mashtroi shqiptarët dhe se tentoi t’iu shmanget përgjegjësive për 7 dështimet e bujshme të qeverisë së tij gjatë vitit 2008.
PS
Nënsekretari Politik në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, tha se ndryshe nga sa deklaron kryeministri Berisha, Shqipëria vazhdon të jetë në nivelet e vendeve afrikane. Bushati theksoi se qeverisja e kryeministrit Berisha nuk ka bërë gjë tjetër, por veçse ka shtuar nivelin e korrupsionit, pasigurisë së jetës dhe varfërisë në familjet shqiptare. “Kryeministri Berisha nuk po arrin te kuptojë që optimizmi i tij demagogjik është i pajustifikuar, sepse ai nuk mbulon dot faktin që sot kemi standarde “Afrikane”: nga korrupsioni, siguria, cilësia e jetës dhe ekonomia e çdo familje shqiptare dhe deri te teknologjia e shekullit të ri, në të cilin kemi hyrë vetëm në mënyrë kronologjike. Kryeministri Berisha nuk po arrin të kuptojë që çdo organizëm dinjitoz i huaj, ka një optik komplet të kundërt nga ajo e “suksesshmja” që përpiqet të na servirë përditë kryeministri”, - tha Bushati. Ai përgënjeshtroi edhe një prej sukseseve të deklaruara nga Berisha, që kishte të bënte me arritjen e standardeve për një “Shqipëri në moshë dixhitale”. Duke iu referuar studimit më të fundit mbi Teknologjinë dhe Informimin në vitin 2008, Bushati tha se Berisha mashtron edhe në këtë aspekt, pasi vendi ynë renditet në vendin e 108 nga 127 vende që janë në listë, duke u renditur pas vendeve të tilla si Tanzani, Nigeri dhe Kenia.
LSI
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se kryeministri Berisha, me demagogjinë e tij të pashembullt dhe me suksese të imagjinuara të qeverisjes së tij të dështuar, i provokoi rëndë shqiptarët, të cilët vazhdojnë të vuajnë pasojat e paaftësisë dhe korrupsionit të nxitur prej tij. “Sali Berisha ka të drejtë të krenohet për ‘arritjet’ e tij se vërtet ato nuk janë të pakta dhe disa prej tyre janë të dukshme dhe me të drejtë Berisha është i kënaqur, sepse falë tij shqiptarët në vend të zhdukjes së korrupsionit përjetuan tragjedinë e eksplozionit të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe krimit shtetëror në Gërdec, shqiptarët kanë sot një kushtetutë tërësisht antidemokratike, shqiptarët kanë sot një krizë të pashembullt të sistemit shëndetësor, shqiptarët kanë sot një varfëri të frikshme dhe defterët e njerëzve të varfër që nuk paguajnë dot janë bërë sa një mal”, - u shpreh Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se LSI-ja e vlerëson si shumë të rëndë situatën e drejtimit të vendit nga një kryeministër, i cili përçartet ndërmjet dy realiteteve të Shqipërisë imagjinare, fanar ndriçues i zhvillimit të kapitalit në Europë dhe ku edhe Franca, Gjermania, Italia e plot shtete të tjera duhet të marrin shembull e që ndodhet vetëm në mendjen e tij dhe të Shqipërisë, që është përfshirë nga kriza e thellë dhe varfëria e paparë që jo vetëm po i dërrmon shqiptarët, por edhe ka krijuar një krizë të thellë besimi te të gjithë shtresat e popullsisë duke i bërë gjithmonë e më të pasigurt të tashmen dhe të ardhmen e tyre”, - deklaroi Vasili.
PSD
Edhe Partia Social Demokrate ka reaguar ndaj analizës së bërë nga kryeministri Berisha për qeverisjen e tij gjatë vitit 2008. Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, tha se gjatë këtij viti, qeveria “Berisha” jo vetëm që nuk ka arritur suksese, por ka sjellë dështime dhe pasoja të rënda për jetën e shqiptarëve. “Kjo periudhë 7-mujore do të mbahet mend si periudha e qeverisjes së Gërdecit. Ngjarja e Gërdecit duhet të ishte parandaluar nga qeveria, e cila e firmosi vetë Gërdecin”, - u shpreh Çuli.
18 Gusht 2008