E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohen 3 të rinj me thika në luftë mes dy grupeve rivale



PEQIN – Rikthehen përleshjet me thika mes grupeve rivale në qarkun e Elbasanit një javë pas plagosjes së rëndë të një 20-vjeçari. Kësaj radhe konflikti ka ndodhur në fshatin Çengelaj të rrethit të Peqinit, ku janë lënduar 3 persona, ndërkohë që policia ka arrestuar dy autorët e ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se në orët e vona të së premtes janë plagosur shtetasit Adriatik Bullari, Beqir Bullari dhe Enver Bullari, 18 vjeç. Vetëm dy orë më pas janë ndaluar dy autorët e dyshuar kësaj masakre; shtetasit Xhevahir Çullhaj 24 vjeç dhe Kujtim Tabaku 22 vjeç, të cilët janë me banim në fshatin Shezë.
Masakrimi i tre të rinjve
Një konflikt midis 2 grupeve të rinjsh në fshatin Çengelaj në rrethin e Peqinit, mbrëmjen e së premtes, ka përfunduar me plagosjen e 3 personave. Të rinjtë mes tyre kanë përdorur armë të ftohta dhe si pasojë tre prej tyre janë masakruar me thika. Sipas burimeve zyrtare të policisë, pas këtij konflikti mbetën të plagosur Adriatik Bullari, 27 vjeç, Beqir Bullari, 20 vjeç dhe Enver Bullari, 18 vjeç. Mbi ta kanë qëlluar me thika disa herë shtetasit Xhevahir Çullhaj, 24 vjeç, dhe Kujtim Tabaku, 22 vjeç, nga fshati Shezë. Ndërsa të plagosurit janë transportuar me urgjencë nga të afërmit në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit autorët e krimit janë arrestuar dy orë më pas. Ata akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë.
Përplasjet me thika
Konfliktet me thika mes grupeve rivale, ku në shumicën e rasteve janë të mitur ose të rinj, janë rritur ndjeshëm gjatë këtij në qarkun e Elbasanit, duke sjellë shqetësimin e strukturave të Rendit. Rasti më i fundit ishte ai i një jave më parë, ku mbeti i plagosur 20-vjeçari Resmi Fetahu. Një grup adoleshentes sulmuan me armë të ftohta 20-vjeçarin në qendër të Elbasanit. Ai mori 10 goditje në trup, ku njëra prej tyre preku mushkërinë. I plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Një ditë më pas, policia ndalon 4 adoleshentë: M. D., 16 vjeç, me banim në lagjen “Dyli Haxhire”, A. B., 17 vjeç, me banim në lagjen “Visarion Xhuvani”, K. Gj., 17 vjeç, me banim në lagjen “Visarion Xhuvani” dhe F. K., 17 vjeç, me banim në lagjen “11 Nëntori”, të cilët u lanë të lirë për shkak të moshës së mitur. Dy ditë më parë familja e Resmi Fetahut kërkoi vendosjen e drejtësisë për ngjarjen e ndodhur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se sulmet me thika nga adoleshentët janë mjaft të spikatura në qarkun e Elbasanit, ku sipas statistikave, vetëm gjatë këtyre 9 muajve janë regjistruar mbi 50 raste.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›