E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret djegin dy shtëpi, flakët rrezikojnë varrezat e Gjirokastrës



Edhe gjatë ditës së djeshme janë regjistruar disa vatra zjarresh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dy zjarre të mëdha kanë djegur dje dy shtëpi në rrethin e rrethin e Korçës. Zjarri i parë është evidentuar në fshatin Pojan në shtëpinë e Feit Lëngut ku është djegur një pjesë e godinës. Shkaku ka qenë vënia e zjarrit nga dy fëmijë të vegjël 6 dhe 7 vjeç me inicialet K.SH dhe K.L nga ky fshat, të cilët ishin duke luajtur pranë kësaj banese. Ata kanë ndezur shkrepëse dhe zjarri ka mundur të kapë bazën ushqimore të bagëtive e cila është ngjitur me banesën e shtëpisë. Vatra tjetër është evidentuar në fshatin Kuç i Zi, të komunës Bulgarec, në banesën e Enver Nasufit. Këtë herë shkaku ka qenë një furnelë me bombol gazi, e cila nga pakujdesia është lënë e hapur dhe për pasojë ka pasur dëme materiale dhe një pjesë godinës është djegur. Fatmirësisht në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset të cilat kanë ndihmuar në shuarjen e shpejtë të zjarrit. Po dje, dy vatra të tjera zjarresh rrezikuan varrezat publike të Gjirokastrës dhe të fshatit Dervician. Dy ditë më parë zonat e banuara kryesisht nga minoritar në rrethin jugor të vendit u përfshinë nga flakët. Policia ndaloi një bari, si shkaktar të djegies së rreth 20 hektarëve kullota.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›