E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Berisha shkeli Kushtetutën për shpalljen e datës së zgjedhjeve



Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson gafë të rëndë kushtetuese shpalljen e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga kryeministri Berisha, i cili deklaroi dy ditë më parë se zgjedhjet në Shqipëri do të zhvillohen në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se deklarata e Berishës në lidhje me këtë çështje, përveçse cenon kompetencat e Presidentit të Republikës, është shprehje e qartë e mentalitetit të Berishës, që e konsideron veten si vetë shteti. “Sali Berisha shpalli dje edhe datën e zgjedhjeve të ardhshme duke demonstruar edhe një herë se ai mendon se shteti është ai, ndonëse çdo shqiptar e di mirë se është presidenti ai që shpall datën e zgjedhjeve. Sali Berisha kërkon të impresiononte partitë dhe shqiptarët me qershorin e 2009-s dhe LSI-ja është sot këtu për të konfirmuar se po e pret dhe po përgatitet me një intensitet të jashtëzakonshëm, pikërisht për atë datë për t’i dhënë me vota përgjigjen e duhur këtij kryeministri. LSI-ja do të vazhdojë luftën e saj pa kompromis ndaj kësaj qeverisje të rrezikshme e mbështetur nga mijëra e mijëra qytetarë që duan të rrojnë e të punojnë të qetë në vendin e tyre, si dhe nuk do të reshtë duke sensibilizuar edhe opinionin ndërkombëtar dhe partnerët tanë euroatlantike për gjithçka që Sali Berisha bën në mënyrë të vazhdueshme në dëm të interesave te Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - tha Vasili.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›