Krimet e Rënda, 310 kërkesa për përgjime telefonike
TIRANË – Prokuroria ka rritur kërkesat për përgjime telefonike. Burime nga organi i akuzës thanë për gazetën se mbi 310 kërkesa për leje përgjimi telefonik për persona të dyshuar për veprimtari të organizuara kriminale janë depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në harkun kohor vetëm në shtatë muajt e vitit 2008. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan se marrja e lejes nga gjykata për përgjime telefonike u ka shërbyer hetuesve të grumbullojnë informacione të vlefshme në funksion të dokumentimit ligjor të aktiviteteve të krimit të organizuar grupeve te trafikut të drogës, armëve, qenieve njerëzore etj. Shumë episode të krimit të organizuar ndër to edhe vrasje, janë zbardhur nëpërmjet të dhënave të përftuara përmes kësaj procedure të ligjshme hetimore, ndërsa shumë persona kanë përfunduar në pranga si autorë të dyshuar të tyre. Përgjimi telefonik dhe ambiental është pjesë e metodave speciale hetimore që përdoren nga organet kompetente ne kuadër të luftës kundër krimit. Në vitin 2007 u realizuan plot 459 përgjime, që mendohet se ndikoi në çmontimin e grupeve kriminale. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë miratimin për 459 përgjime vetëm për vitin 2007. Statistika u be publike në analizën vjetore të realizuar nga ky institucion në fillim të këtij viti.
18 Gusht 2008