E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet i mituri, vodhi kompjuterët e një qendre interneti



Tiranë – Uniformat blu kanë mundur të zbulojnë autorin e vjedhjes së disa kompjuterëve një javë më parë, në afërsi të rrugës “Komuna e Parisit”. Burimet thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, pas vjedhjes që bëri 7 ditë më parë, kanë zbuluar autorin dhe sekuestrimin e 7 copë kopjuterëve. I dyshuar për këtë ngjarje është i mituri E. H., 16 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i cili i kishte shitur në një qendër interneti në qytetin e Durrësit. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ndërkohë që po punohet për kapjen e shtetasit E. H.

SHKURT

Ndalohet në zonën e plazhit shpërndarësi i heroinës

DURRËS - Një shpërndarës droge u ndalua nga Policia e Durrësit gjatë një kontrolli në zonën e plazhit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasit Ilir Haruni, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 7 të qytetit bregdetar, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 5.5 gramë heroinë. Droga ishte e ndarë në 14 doza, të gatshme për përdorim. Sipas burimeve policore, mësohet se 33-vjeçari Haruni ishte dënuar më parë me 7 vjet heqje lirie për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.

Iu gjetën sasi të konsiderueshme Cannabisi në xhep, arrestohet

TIRANË – Një i ri mendohet të jetë i implikuar në trafik narkotikësh pas kontrollit të apartamentit të banimit. Burime policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës realizuan kapjen dhe më pas arrestimi në flagrancë të Indrit Gjollës, 25 - vjeç, lindur dhe banues në kryeqytet. Ky shtetas u kap dje në flagrancë në rrugën “Aleksandër Moisiu” me një sasi prej 1.7 gramësh bimë e dyshuar lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva. Po ashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe të shtetasit Xhelal Seferi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia prej 66.6 gr me gjithë ambalazh, bimë e dyshuar lëndë narkotike Cannabis Sattiva.

Prangoset “kapoja” i trafikut klandestin drejt Greqisë

GJIROKASTËR – Një tjetër trafikant klandestinësh, pjesë e një rrjeti të organizuar, ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është ndaluar mbrëmjen e së premtes shtetasi Ervin Çela. 25-vjeçari ka ndihmuar 6 shtetas nga rrethi i Beratit për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në Greqi kundrejt një shume prej 800 Euro për person. Shtetasi Ervin Çela ishte organizatori i këtij trafiku, duke gjetur klientët. Më pas, në bashkëpunim me shtetasin Saimir Rrapo nga Berati, i cili është arrestuar në flagrancë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër një muaj më parë “si udhërrëfyes“ i ndihmonin për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Arrestohet, kërcënoi me armë bashkëshorten

SHKODËR – Një 48-vjeçar është prangosur pasi ka kërcënuar me armë bashkëshorten e tij. Forcat e Policisë së Malësisë së Madhe kanë arrestuar dje në mesditë shtetasin Man Zekaj, banor i lagjes “Bogic” të qytetit të Koplikut, në rrethin e Malësisë së Madhe. Burime zyrtare nga policia e Koplikut thanë se arrestimi i shtetasit Zekaj u bë u bë pas denoncimit të gruas së tij D. Zekaj, 52 vjeçe. Forcat policore të mbërritura menjëherë në vendngjarje bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit Man Zekaj dhe kontrolluan banesën së tij, ku iu gjeten dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë automatik model “56”, fishekë copë 390, si dhe 8 karikatorë.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›