Berisha: “Zija jashtë vendit më erdhi dy herë më e rëndë”
Kryeministri Sali Berisha mes pikëllimit dhe lotëve, bëri homazhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit si dhe vizitoi studentet e plagosura, të shtruara në Spitalin Ushtarak si dhe atë Amerikan të Tiranës
“Uroj që familjarët, prindërit të gjejnë të gjithë forcën për të përballuar këtë dhimbje të tmerrshme dhe të rëndë. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejt, si dhe i garantoj që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më parë”, u shpreh dje i përlotur, Kryeministri Sali Berisha gjatë homazheve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, drejt të cilit udhëtoi menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit nga SHBA-të ku ndodhej për të marrë pjesë në Samitin e 25-të të NATO-s.
I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, Kryeministri Sali Berisha u drejtua për në qytetin e Elbasanit, për të qenë i pranishëm në zhvillimin e ceremonisë së organizuar në nderim të viktimave të shkaktuara nga aksidenti i djeshëm në Qafën e Vishës, në aksin Vlorë-Himarë.
Duke ndarë me të gjithë të pranishmit dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje tragjike, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurora me lule në mjediset e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, studente të së cilit ishin edhe vajzat që humbën jetën në aksidentin tragjik.
Kryeministri Berisha iu përcolli familjarëve, stafit pedagogjik, si dhe të rinjve e të rejave miq dhe bashkëmoshatarë të viktimave ngushëllimet më të sinqerta dhe lutjen për të gjetur forcë e kurajë për të përballuar këtë tragjedi të rëndë njerëzore.
Kryeministri Berisha la dhe një shënim në librat e ngushëllimit të hapur më këtë rast.
Më pas, përmes pikëllimit kryeministri Sali Berisha u shpreh për mediat e pranishme se, “Familjarëve, studentëve, të gjithë qytetarëve të Elbasanit iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ishte një tragjedi shumë e rëndë dhe zi e madhe, e cila kur je jashtë vendit të vjen dy here me e rëndë. Ndaj dhe u shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta, solidaritetin tim më njerëzor, të gjithë prindërve, familjareve të studenteve që u ndanë dje nga jeta, në njërin nga aksidentet më tragjike që Shqipëria ka njohur në shumë e shumë vite. U shpreh ngushëllimin studentëve, shoqeve dhe shokëve të tyre, stafit pedagogjik të universiteti të Elbasanit, qytetit dhe qytetarëve të Elbasanit, për këtë dramë të madhe që përjetuan dhe përjetojnë, të ndarjes nga jeta të vajzave të mrekullueshme të këtij universiteti, të cilat ishin nisur në një udhëtim për të shijuar bukuritë e vendit të tyre. Uroj që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar. Uroj që familjarët, prindërit të gjejnë të gjithë forcën për të përballuar këtë dhimbje të tmerrshme dhe të rëndë. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejt, si dhe i garantoj që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më parë. Edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjeve të këtyre vajzave të mrekullueshme!”.
Të pranishëm në homazhet në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xuvani, ishin edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, drejtues të pushtetit vendor të Elbasanit, rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” deputetë, ministra të kabinetit, pedagogë, studentë, familjarë, të rinj e të reja, si dhe shumë qytetarë elbasanas.
“Qeveria do të bëjë gjithçka, për t’u dhënë të plagosurave ndihmën më të specializuar”
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha, vizitoi dje pasdite, studentet e plagosura në aksidentin tragjik të një dite më parë në Qafën e Vishës, në aksin Vlorë-Himarë, të cilat ndodhen në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit në spitalin Ushtarak, si dhe studenten, e cila ndodhet e shtruar në spitalin Amerikan, në Tiranë.
Kryeministri, pasi u njoh hollësisht nga ekipi mjekësor me gjendjen e tyre shëndetësore, vizitoi studentet, të cilave u uroi shërim të shpejtë dhe i siguroi se do të bëhet gjithçka për t’u dhënë ndihmën më të mirë. “Gjendja e vajzave të aksidentuara në tërësi është mirë, por përsëri dy prej tyre përballen me vështirësi shumë të mëdha. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka vendosur lidhje me klinika të huaja dhe në momentin e parë që ato t’i japin dritën jeshile se do t’i pranojnë, ne do t’i nisim, ndonëse këtu është bërë një punë e jashtëzakonshme”, u shpreh Kryeministri, në një prononcim për median, pas vizitës që u bëri studenteve të aksidentuara dhe bisedës me mjekët.
Kryeministri e cilësoi aksidentin si ndër më tragjikët në historinë e vendit dhe shprehu bindjen se çdo shqiptar, kudo që është, lutet për to.
“Duke u uruar të gjitha vajzave të plagosura rëndë, në këtë aksident ndër më tragjikët në historinë e vendit, shpesh bindjen se sot, çdo shqiptar kudo që është lutet për to, lutet që ta kalojnë sa më mirë këtë gjendje shëndetësore të krijuar nga aksidenti. Sikundër i garantoj prindërit, familjarët se qeveria do të bëjë gjithçka, çka mund të bëjë mjekësia, për t’u dhënë atyre ndihmën më të specializuar”, vijoi deklarimin e tij Kryeministri.
Berisha shprehu mirënjohje për banorët e zonës Bregut, që shkuan të parët në ndihmë si dhe ekipin mjekësor të Qendrës Spitalore të Himarës, Sarandës, Vlorës dhe Spitalit Ushtarak në Tiranë.
“Edhe një herë, gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë, vlerësimin më të madh, në emër të qeverisë dhe timin, së pari, për banorët e zonës së Bregut, të cilët shkuan ndër më të parët, me shpejtësi të madhe dhe dëshmuan një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, personelin mjekësor të qendrës shëndetësore të Himarës dhe doktorin e kësaj qendre që ishte ndër të parët, të gjitha ekipet shëndetësore që shkuan nga Tirana, Vlora e Saranda, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në evakuimin në kushte ndër më të vështirat, në ndihmën emergjente dhe në vazhdim në transportin e tyre në qendrat e specializuara, të falënderoj shumë përzemërsisht ekipet e spitalit të Vlorës dhe Spitalit Ushtarak në Tiranës, të cilët ishin të mobilizuara në shkallën më maksimale për të ndihmuar të plagosurit e këtij aksidenti. Mjekët e spitalit Ushtarak kanë realizuar ndërhyrje nga më të komplikuarat, për të shpëtuar jetën e vajzave të plagosura”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shprehu gjithashtu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë edhe për të gjitha strukturat, policinë, ekipet mjekësore, njësinë e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Forcave të Armatosura, për përkushtimin e tyre maksimal në operacionin e emergjencës, të transportimit të të aksidentuarave në qendrat spitalore dhe ndërhyrjet e specializuara mjekësore.
“Mund të them se operacioni i ndihmës emergjente ka qenë në shkallën më të lartë të organizimit. Ministri i Shëndetësisë ka drejtuar që nga fillimi dhe në vazhdim këtë operacion. Një përgëzim dhe një falënderim të veçantë dua t’u bëj pilotëve dhe ekipit të helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të Forcave të Armatosura, të cilat siç e keni ndjekur, kanë fluturuar pa pandërprerë, madje edhe jashtë kushteve të lejuara për pajisjet që ato kanë, në mënyrë që të shpëtojnë, të sjellin pranë ndihmës më të kualifikuar sa më shumë të plagosur rëndë të këtij aksidenti, që, edhe një herë, do të thoja ndofta më të rëndët në historinë e vendit. Uroj që vajzat që po trajtohen këtu ta kapërcejnë me sukses të plotë situatën e krijuar, sikundër për dy rastet që përballen me shumë vështirësi uroj që klinika të specializuara të vlerësojnë se mund të thonë një fjalë e ndihmë më tepër në mbështetje të jetës së tyre”, përfundoi Berisha.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, homazhe në Elbasan, viziton edhe të plagosurat
“U japim lamtumirën studenteve, që sot ato do të shikojnë nga lart”
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli zhvilloi homazhe në nder të viktimave të aksidenti tragjik të Himarës. Ajo shprehu dhimbjen dhe solidaritetin për familjarët e viktimave në emër edhe të Kuvendit të Shqipërisë dhe tha se sytë e tyre kishin shpresë.
“I japim sot lamtumirën studenteve. Që sot ato do të shikojnë nga lart”, u shpreh Kryeparlamentarja, teksa ndau me familjarët dhimbjen e madhe për viktimat.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u njoh dje nga afër edhe me gjendjen shëndetësore të vajzave të plagosura nga aksidenti i djeshme dhe që janë shtruar për të marrë ndihmën e nevojshme në Spitalin Ushtarak. Sipas saj, gjendja e të plagosurave paraqitet e stabilizuar, ndërkohë që shprehu ngushëllime për humbjen e 13 jetëve në aksidentin tragjik në Himarë.
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ngushëllon familjen e Erjola Xhoit
“Qytetarët e Tiranës ndajnë sot dhimbjen me qytetarët e Elbasanit”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllimet familjes së Erjola Xhoit në Elbasan, ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurave të aksidentit tragjik. “Një ngjarje tragjike, që ka prekur çdo qytetar”, u shpreh Basha, ndërsa kreu edhe homazhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Basha ngushëlloi edhe kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe shprehu solidaritetin e qytetarëve të Tiranës me ata të Elbasanit. “Qytetarët e Tiranës ndajnë sot dhimbjen me qytetarët e Elbasanit”, deklaroi Basha, i cili ka qenë edhe deputet i këtij qarku.