E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimbje që e ndjeu gjithë vendi

23-05-2012 / Gazeta 55

Nga Presheva në Prevezë, është ndjerë solidaritet mbresëlënës panshqiptar, për tragjedinë që goditi të gjithë kombin. Strukturat shtetërore ngjanin hyjnore në përpjekjen e tyre për të shpëtuar sa më shumë jetë, në lule të moshës, kurse humbja e jetës identifikohet me padrejtësitë e reja që po i bëhen kombit.
Në spitalin Ushtarak dhe atë Rajonal të Vlorës marrin ndihmë mjekësore 26 studente. Furnizimi me gjak - spitalet përballojnë situatën nga rezervat e tyre

Dy studente në gjendje të rëndë, diskutohet transferimi jashtë shtetit

Në Spitalin ushtarak në Tiranë vazhdojnë të marrin trajtimin mjekësor 14 vajza të plagosura nga aksidenti që ndodhi pasditen e se hënës në afërsi të Himarës, ku një autobus me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, doli nga rruga, duke rënë në greminë. Ndërkohë, një tjetër studente e plagosur, po trajtohet Spitalin Amerikan.
Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, tha se “në terapi intensive janë 9 vajza dhe në dy kirurgjitë 5 të tjera”.
Dëmtimet e të gjitha rasteve, sipas tij, “janë serioze, por gjendja duket me optimizëm dhe dy rastet që janë më të rënda janë me parametra të stabilizuar, janë vlerësuar pozitivisht nga ekipet e mjekëve dhe do të vazhdojë ndjekja e tyre pa ndërprerë duke u ribërë ekzaminimet e nevojshme”.
Mihaj tha se konkluzionet e ekipeve mjekësore janë të tilla që nuk do të ketë invaliditet.
Ndërkohë, sipas tij, pas apelit të bërë për dhurimin e gjakut, edhe me grup të rrallë A- dhe 0-, të Spitalit Ushtarak janë drejtuar shumë qytetarë dhe nuk ka pasur mungesa të rezervave të gjakut. Dhurimi i gjakut do të vazhdojë ditën e sotme.
Mjekët e Spitalit Ushtarak të Tiranës, kanë raportuar përmirësim të dukshëm të një prej rasteve të rënda të ditës së djeshme. Pacientja Florije Peci i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Kirurgu Fatos Olldashi tha pas operacionit se, “operacioni konsiston në përpunimin e një plage të marrë gjatë aksidentit në shtyllën kurrizore. Gjatë dëmtimit kishin ndodhur dhe dëmtime të kockave dhe të një pjesë të nervave, shpresojmë të mos jenë të rrezikshme. Në të vërtetë dëmtimi do të konstatohet kur pacientja të zgjohet dhe të dalë nga gjendja e komës”.
Olldashi tha se pacientja ndodhet në gjendje kome, pasi është një politraumë, ka dhe dëmtime të tjera në kokë dhe kryesisht në gjoks.
Kirurgu Olldashi u shpreh se dy paciente janë duke u mbajtur me frymëmarrje artificiale. “E përgjithshmja është mirë, të gjitha vajzat janë më mirë sesa kur u pranuan në spital, por nuk mund të themi që janë jashtë rrezikut për jetën”, tha më tej ai
Kirurgu Olldashi u shpreh se stafi mjekësor po bën të pamundurën për studentet e plagosura, dhe theksoi se shpëtimi i tyre nuk është çështje ore, pasi ato duhet njëherë të shkëputen nga aparaturat.
Sipas tij nëse do të ketë nevojë do të diskutohet edhe për transferimin e tyre jashtë, megjithatë po bëhet e pamundura që tërë ndihma për jetën t’u jepet në Tiranë.
Ndërkohë, mësohet se të gjitha vajzat e tjera janë në gjendje të stabilizuar.
Sa i takon furnizimit me gjak, të gjitha nevojat janë përballuar nga rezervat e spitaleve. Pranë qendrave të transfuzionit të gjakut një numër i madh qytetarësh kanë shprehur gatishmërinë për dhurim vullnetar. Mësohet se janë dhuruar 210 unite deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mes të cilës dhe grupe të rralla si A Negativ dhe Zero Negativ
Ndërkohë, mësohet se gjendja shëndetësore e 10 vajzave të plagosura në aksidentin e së hënës në qafën e Vishës në Himarë, të cilat ndodhen për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës është drejt përmirësimit.
Drejtori i këtij institucioni , Shkëlqim Selami, tha se, “me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm”.
Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në terapi intensive, në ambientet më të mira të këtij spitali.
Ai shtoi se të plagosurat do të mbahen në këtë spital dhe në varësi të situatës do të gjykohet nëse ato do të kenë nevojë për një mjekim më të specializuar apo do të mbahen në këtë institucion shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë është në gatishmëri të plotë për të ofruar kujdes shëndetësor maksimal për studentët e plagosur që po marrin ndihmë shëndetësore pranë spitalit Ushtarak në Tiranë dhe Spitalit Rajonal Vlorë.
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili  ka kërkuar nga stafet mjekësore kujdes maksimal në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe një rikuperim sa më të plotë të personave të lënduar dhe kthim sa më të shpejtë pranë familjeve. 
Për sa i përket numrit të studenteve të plagosura, mësohet se, në total 14 studentë ndodhen në repartet e reanimacionit (4 në Vlorë, 9 në Spitalin Ushtarak 1 në Spitalin Amerikan Tiranë) dhe 11 të tjerë në repartin e kirurgjisë (6 në spitalin e Vlorës,  5 në spitalin ushtarak Tiranë). Një tjetër studente, trajtohet ende në Spitalin e Himarës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës, në afërsi të Himarës, kur një autobus me studente të Universitetit të Elbasanit doli nga rruga, duke rënë në greminë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›