Aksident afër Shkodrës, plagosen dy persona
Aksidenti i rëndë, i ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ku një makinë tip "Pezho" me dy persona brenda u përplasën fuqishëm në murin e një dyqani buzë rrugës e më pas me një shtyllë elektrike, për pak sa nuk u ka marrë jetën dy të rinjve. Madje, gjendja për njërin nga të plagosurit është mjaft kritike, pasi ndodhet ende në gjendje kome. Aksidenti në fjalë ka ndodhur rreth orës 21.45, në aksin rrugor nacional Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Melgush, rreth 10 km pa hyrë në Shkodër. Makina tip "Pezho", brenda së cilës ndodheshin dy shokët Redi Gjekaj, 26 vjeç, dhe Arianit Jaku, 30 vjeç, që të dy nga fshati Berbullush, pasi ka dalë nga rruga është përplasur fort në murin e një dyqani pranë rrugës e më pas makina është shkëputur 20 metra nga vendi i përplasjes. Pas kësaj, mjeti është zhvendosur dhe u përplas sërish me një shtyllë elektrike, e cila mbante dhe një transformator të zonës. Aksidenti ka qenë aq i rëndë, saqë pothuajse të gjitha pjesët e montueshme të makinës, si motori, gomat dhe dyert janë gjetur disa metra më tutje. Në vendngjarje janë thirrur edhe zjarrfikës, të cilët me mjetet e tyre kanë prerë makinën në disa vende për të nxjerrë trupat e të dëmtuarve që gjendeshin brenda. Sipas policisë, shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë mungesa e ndriçimit rrugor, e cila mungon në të gjithë rrugën nacionale Shkodër-Tiranë.