E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kuksianë aksidentohen në rrugën e Pukës

Një aksident automobilistik i ndodhur mëngjesin e së dielës në segmentin rrugor Pukë-Fushë-Arës-Kukës ka rrezikuar seriozisht jetën e dy personave, përkatësisht shoferit dhe një pasagjeri. Mjeti autoveturë tip fuoristradë, me targa KU 3042 A, i cili po udhëtonte në drejtim të Kukësit, ka përfunduar rreth 50 metra në humnerë, poshtë një ure, e cila gjithashtu rrezikon të shembet nga erozioni. Në këtë aksident kanë mbetur të plagosur shtetasit Sadik Picari, 51 vjeç dhe Hasan Abazi 44 vjeç, që të dy nga fshatrat e Kukësit. Të aksidentuarit janë nxjerrë prej përroit nga disa udhëtarë, të cilët në të njëjtën kohë kanë njoftuar edhe spitalin e Pukës, nga ku është dërguar një autoambulancë për t‘i transportuar. Mjekët e repartit të kirurgjisë pohojnë se gjendja e dy të aksidentuarve është jashtë rrezikut për jetën, por mësohet se të dy personat kanë pësuar dëmtime të ndjeshme. Policia lokale ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe ka siguruar provat materiale për të analizuar shkaqet e aksidentit. Paraprakisht mendohet se shkaku ka qenë shpejtësia dhe humbja e vëmendjes në drejtimin e mjetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›