Aksident fatal në autostradë, dy të vdekur
Një “Opel” ka kapërcyer traversën e autostradës, duke u përplasur me një makinë “Benz”. Humbin jetën Arben Hoxha e Ergys Shaqa, plagoset një tjetër person
Dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë dje gjatë një aksidenti të ndodhur pranë stadiumit “Asllan Rusi” në Tiranë. Një nga viktimat e aksidentit të ndodhur pak metra larg kryqëzimit “Zogu i Zi” është 48-vjeçari Arben Hoxha, ndërsa viktima tjetër është Ergys Shaqa 21-vjeç. Mësohet se emri i personit të plagosur rëndë është Reshit Sinokoli, i cili po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak. Aksidenti tragjik ndodhi pak pas mesditës në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, duke lënë të vdekur në vend dy persona dhe plagosur një të tretë. Dëshmitarë të shumtë që panë me sy përplasjen fatale të dy makinave, thanë se ato ecnin në drejtim të kundërt me njëra- tjetrën. Sipas të dhënave, makina tip Opel me targë AA 237 BI, që vinte për në Tiranë, kapërceu traversën e mesit të rrugës, dhe u përplas me një makinë tip Benz me targë Tr 6434 I, që udhëtonte në drejtim të kundërt me të. Po sipas dëshmitarëve, para se të ndodhte aksidenti i rëndë, drejtuesi i automjetit Opel që vinte drejt Tiranës dyshohet të ketë pësuar infarkt në zemër, ndërsa ngiste makinën, fakt ky që pritet të konfirmohet nga Mjekësia Ligjore. Kjo me sa duket e çoi atë në humbjen e kontrollit të makinës dhe devijimin nga rruga. Për rrjedhojë, makina Opel kapërceu traversën ndarëse të autostradës dhe u përplas fatalisht me makinën Benz me targa Tirane, duke shkaktuar vdekjen e dy drejtuesve të automjeteve. Si pasojë e përplasjes, të dyja makinat u shkatërruan plotësisht dhe morën flakë, aq sa për të nxjerrë trupat e të vdekurve ishte tejet e vështirë dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe makina zjarrfikëse. Aksidenti tragjik shkaktoi kaos në autostradën Tiranë-Durrës, edhe për faktin se ndodhi në një orar të ditës kur ky segment ndodhej në pikun e trafikut. Policia e Tiranës thotë se makinat nuk po ecnin me shpejtësi të madhe, megjithatë po hetohet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik. H.Hasani