Pranga në Bari korrierit të 3.5 kg heroinë
Një kërkim i imtësishëm në një makinë “Volkswagen Golf” përfundoi me arrestimin e një shqiptari, që po trafikonte 3.5 kg heroinë drejt Italisë. Aksioni i forcave policore italiane ka zgjatur për disa kohë, pasi heroina ishte fshehur më së miri nga 48-vjeçari shqiptar, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme në portin e Barit. Nga kërkimet intensive u gjet rreth 3.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, e vendosur në muret e pasme të makinës së sapoardhur nga një traget që ishte nisur nga Shqipëria. Mësohet se shqiptari u shfaq shumë i tensionuar dhe nervoz, çka solli dyshime nga ana e autoriteteve italiane, duke bërë që të thellohen kërkimet në mjetin që ky i fundit kishte me vete, deri sa u gjet në murin e pasmë lënda narkotike Sipas policisë italiane, thuhet se sasia e lëndës narkotike kishte si synim shpërndarjen në tregun vendas, ndërsa vlera e saj shkonte mbi 100 mijë euro. Fill pas kësaj droga u sekuestrua, ndërsa korrieri i saj u prangos dhe përfundoi në burgun e Barit.