E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat, përplasje Spahiu-Alibeaj

Urdhri i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për "spiunimin" e gjyqtarëve nëpërmjet një raporti ditor të përgatitur nga sekretaret e tyre, është komentuar dje edhe nga Kreshnik Spahiu, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një prononcim për mediat, Spahiu ka deklaruar se janë kryetarët e gjykatave ata që trajtojnë trupën gjyqësore, ndërsa sekretaret thjesht administrojnë procesin gjyqësor. "Do të jetë një parim universal që janë gjyqtarët ata të cilët drejtojnë punën gjyqësore edhe administrata nuk mbetet gjë tjetër veçse administron procesin. Kjo, padyshim, krijon hapësira dhe rolin drejtues ta kenë gjithmonë gjyqtarët", tha Spahiu. Ai shtoi se administrata e gjyqësorit pritet të shqyrtohet nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kryer propozimet e tij. Më tej, Spahiu deklaroi se KLD-ja ka gati propozimet e saj edhe për disa nga ligjet më të rëndësishme për sa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë në vend. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë tha se "ekspertët e programit të Komisionit Evropian kanë ofruar që Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të fokusohet tek ankesat e publikut, ndërsa Inspektorati i KLD-së të fokusohet në inspektimet tematike të paracaktuara, si etika, funksionimi i gjyqësorit, si edhe sistemi i vlerësimit të punës gjyqtarëve".

Disa ditë më parë, ministri i Drejtësisë u shpreh i bindur se urdhrat e tij për administratën gjyqësore të Gjykatës së Tiranës janë të ligjshëm dhe këmbënguli se ato do të zbatohen me çdo kusht. "Nuk bëhet fjalë për një teori konspirative ose praktikë konspirative të monitorimit apo ‘të spiunimit‘ të gjyqtarëve", ka thënë drejtuesi i dikasterit të drejtësisë në një prononcim për median. Sipas tij, bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për zbatimin e detyrimeve ligjore që palët në një proces gjyqësor, gjyqtarët fillimisht, kanë në respektim të solemnitetit, etikës, transparencës që duhet të karakterizojë procesin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›