E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pistoleta nga Kosova për 60 mijë lekë

Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar në gjykatë katër trafikantë ndërkombëtarë të armëve. Ata janë Zamir Kotrri, Ahmet Ferati, Rrahman Demaj dhe Artan Aliaj. Sipas kërkesës për gjykim, Policia e Shtetit dispononte materiale të arsyeshme se Ferati, më datë 13 qershor 2007, ka blerë nga një shtetas Kosovar katër copë pistoleta. Këtë sasi pistoletash ai e ka blerë me porosi të Demajt. Më 14 qershor 2007, Ferati është nisur herët në mëngjes nga Kukësi në drejtim të Shkodrës, ku do të dorëzonte pistoletat te të njohurit e Rrahman Demajt. Dorëzimi i armëve do të kryhej në qendër të Shkodrës. Në hyrje të Shkodrës, ai është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë dhe pas kontrollit iu gjetën katër pistoleta "Zastava Mini Blow" me kalibër 8 mm. Ferati deklaroi se armët ai do t‘ia jepte një personi nga Shkodra kundrejt një çmimi prej 60 mijë lekësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›