Aksident me vdekje, policia fajëson viktimën
Ka qenë i dehur këmbësori që është aksidentuar për vdekje në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji. Kështu kanë konkluduar specialistët e policisë, pas një aksidenti të natës së të shtunës në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.30 minuta, kur një makinë me targa EL 8746 B, që drejtohej nga Tomorr Muça, ka aksidentuar rëndë 60-vjeçarin Vasil Pëllumbi, këmbësor që i ka prerë rrugën papritur automjetit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e qarkullimit rrugor të qytetit të Elbasanit, por viktima Pëllumbi ka humbur jetën në çast. Pas ekspertizës, mësohet se 60-vjeçari ka qenë i dehur në momentin që i ka prerë rrugën makinës. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka ndaluar për sqarime të mëtejshme drejtuesin e mjetit, Muça. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.