E Diel, 1 Nëntor 2026

Të zhytur në borxhe, pa strategji

Kalimi në një ekonomi tregu e gjeti Shqipërinë pa një strategji të mirëfilltë zhvillimi. Nevoja për mbështetje financiare nga të huajt ishte e madhe, gjithashtu edhe prioritetet, por mungesa e një plani konkret, bënë të mundur që pjesa dërrmuese e parave të marra kredi të mos japin efektin e duhur. Nga të dhënat që ofron Ministria e Financave mësojmë se deri tani kemi marrë kredi të pastër tregtare në vlera mbi 2 miliardë dollarë. Kjo shumë nuk përfshin donacionet, financimet e buta, por kredi të marrë nga institucionet financiare, për të cilën shqiptarët vazhdojnë të paguajnë interesat nga taksat që derdhin çdo vit. Rreth 2 miliardë dollarë janë hedhur për sektorë të ndryshëm, konkretisht në rrugë, energjetikë, bujqësi, arsim etj., të cilët vazhdojnë edhe sot të hasin probleme të mëdha.

Nga tabela me të dhëna shihet qartë se infrastruktura rrugore ka marrë më shumë financime nga të huajt, në masën e mbi gjysmë miliardi dollarë. Sektori i rrugëve ka qenë gjithnjë prioritet për qeveri të ndryshme dhe vazhdon të mbetet, ndërsa financimet si nga buxheti ashtu dhe nga institucionet e bankat e huaja nuk kanë munguar. Vlera prej 540 milionë dollarësh i takon vetëm kredisë së dhënë nga bankat e huaja, të cilat e kanë parë të arsyeshme të financojnë sektorin, e cili sot nuk reflekton zhvillimin që duhet të kishte falë parave të derdhura lumë. Aktualisht disa akse të vendit, ato nacionalet paraqiten në kushte të mira, por që nuk i justifikojnë kreditë e marra, nëse shikon pjesën dërrmuese të rrugëve që vazhdojnë të mbeten problematike, deri në mungesë sigurie për jetën.

Jo pak mbështetje ka marrë sektori energjetik, "delja e zezë" e ekonomisë shqiptare. Aktualisht ne po paguajmë interesat e kredive me vlerë totale rreth 388 milionë dollarë. Nëse përfshijmë donacionet dhe paratë e hedhura nga buxheti i shtetit, fondi në total e kalon 5 miliardë dollarë, të gjitha këto të siguruara nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë. Dhe ku jemi sot? Jo aty ky prisnim. Nuk qartësohet se ku kanë shkuar konkretisht këto para, në një kohë kur sektori energjetik vazhdon të frenojë rritjen ekonomike të vendit (ekspertët mendojnë se energjetika mesatarisht ka ndikuar negativisht me të paktën 1-2 për qind në vit në PBB). Në vitin 2009, energjia elektrike mungon në disa zona të vendit, jo për faj të kapaciteteve të pakta (aktualisht ne shesim në Greqi), por për faj të rrjetit të vjetruar, për të cilën të huajt kanë dhënë 388 milionë dollarë dhe ende nuk po e zgjidh problemin.

Bujqësia dhe sektori i furnizimit me ujë të pijshëm kanë marrë nga të huajt rreth 300 milionë dollarë. Qeveria ka marrë kredi në këtë shumë me synimin për të zhvilluar këto dy sektorë më problematikë. Bujqësia nuk po jep rendimentin e duhur. Kjo duket qartë tek importet, të cilat çdo vit e kalojnë shifrën e 500 milionë dollarëve. Kjo është shuma që shpenzohet për t‘i blerë produktet bujqësore nga jashtë, pasi tregu vendas nuk e garanton të gjithë kërkesën e konsumit. Rreth 150 milionë dollarë janë dhënë për të përmirësuar rrjetin e menaxhimit dhe të shpërndarjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale në vend. Paratë janë marrë borxh për t‘ia rikthyer të huajve me interesa të konsiderueshme, deri në 5 për qind në vit. Aktualisht, disa zona të vendit nuk kanë kapacitete për ta tregtuar produktin te konsumatori, madje në shumë raste, fermerët ankohen se malli nuk u shitet. Kjo për faktin se mungon informacioni për atë produkt, mungon rrjeti shpërndarës dhe kultura e menaxhimit, për rregullimin e të cilave janë hedhur miliona dollarë, por ende pa zgjidhje. Ndërkaq, për furnizimin me ujë të pijshëm, edhe pse janë marrë 134 milionë dollarë kredi, situata duket më rëndë nga të gjitha. Garantimi me 24 orë pa ndërprerje është vetëm në Korçë, Pogradec dhe në një pjesë të Tiranës, ndërsa zona të tjera furnizohen vetëm me dy orë në ditë (këtu nuk përjashtohen edhe zonat turistike).

Arsimi dhe shëndetësia kanë marrë të dyja së bashku mbi 100 milionë dollarë kredi nga bankat e huaja. Qeveria ka kërkuar mbështetje financiare për këta dy sektorë dhe në fakt, vullneti nga të huajt nuk ka munguar. Por vetëm kaq, pasi rezultati i këtyre financime nuk tregon planin e pritur.

Ka edhe sektorë të tjerë, të cilët kur i shikon të krijohet përshtypja se me ta nuk ka pasur kurrë mbështetje financiare. Në fakt, paratë e derdhura lumë nuk kanë munguar, ndërsa rezultati nuk erdhi aty ku pritej. Në këtë mori dështimesh, lind pyetja: A ia vlejti gjithë ky borxh, për të mos marrë atë që u synua? Ndoshta po, për ata që e morën borxhin, pa ditur ta menaxhonin sepse mungonte strategjia e saktë.

Sektorët më të kredituar nga institucionet financiare ndërkombëtare janë rrugët dhe energjetika

sektori kredia (mijë USD)

Transport 541.057

Energjetikë 388.470

Mbështetje për buxhetin 264.272

Bujqësi, ujitje 146.635

Ujësjellës-Kanalizime 135.977

Import mallrash dhe pajisjesh 79.263

Infrastrukturë urbane dhe rurale 58.283

Arsimi 59.650

Shëndetësi 53.900

Zhvillimi sektorit privat 43.542

Zhvillimi rural 36.868

Administrata shtetërore 36.307

Transport ajror 27.569

Bilanci i pagesave 22.495

Kontributet/Tregu i punës 20.075

Telekomunikacion 17.957

Strehimi 16.375

Të tjera 13.104

Mbrojtja 10.081

Pyje 7.374

Transport hekurudhor 4.526

Industri e lehtë 3.052

Mbrojtja e mjedisit 3.363

Gjithsej 2.160.236



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›