E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatë banka në garë për kredinë 300 milionë euro

Ministria e Financave njoftoi dje përfundimin e procesit të pranimit të ofertave për financimin e një huaje prej rreth 300 milionë eurosh, për të financuar investimet publike të vitit 2009, sipas programit të buxhetit. Në këtë fazë, janë paraqitur shtatë oferta nga institucione financiare ndërkombëtare me shumë reputacion në tregun financiar botëror të tilla si: Raiffeisen, Deutche Bank, Alpha Bank, J.P. Morgan, Citigroup, Credit Suisse dhe BNP Paribas. Burime zyrtare sqarojnë se, në ditët në vijim, Ministria e Financave do të bëjë vlerësimin e ofertave për të shpallur fituesit. "Suksesi i arritur në këtë dalje në tregun financiar botëror dëshmon për vlerësimin pozitiv dhe besimin që ka ekonomia shqiptare në tregjet financiare botërore, duke marrë në konsideratë faktin se këto tregje janë përfshirë tashmë në një krizë të rëndë", u shpreh dje Ministria e Financave. Lidhur me kredinë 300 milionë euro nuk është bërë ende e qartë se ku do të shkojë. Zyrtarë të ministrisë deklarojnë se kredia do të përdoret si mbështetje për buxhetin, ndërsa ekspertët japin alarmin se qëllimi është për të mbështetur fushatën elektorale, e cila fillon pas dy muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›