E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, policia lë të qetë klandestinët

Rrugëtimi i klandestinëve drejt kufirit tokësor me Greqinë vazhdon të paraqitet si një dukuri e ditës. Aventura e tyre kalon përmes peripecish të shumta, që nisin nga lundra e Butrintit dhe shoqërohen nga ankthi i përplasjes së mundshme me patrulla kufitare nga të dyja anët e kufirit. Aksi Sarandë-Butrint-Konispol vazhdon të jetë vija që ndjekin klandestinët e organizuar në grupe. Por, nuk është se ky është aksi i vetëm që ndjekin flukset e klandestinëve. Po të udhëtosh në orët e natës nga Qafa e Muzinës në drejtim të Sarandës, do të shohësh njerëz me çanta që ecin në këmbë, pa ditur ku shkojnë. Shumë prej tyre i nënshtrohen udhërrëfimit të atyre që nuk e kanë për herë të parë dhe vetëm sakrifikojnë, si ta kishin të sigurt se dikush do t‘i priste në shtetin grek për t‘i punësuar. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë Kufitare dhanë një bilanc prej 7200 vetash, të kapur dhe të sprapsur në tentativën e tyre për të kaluar si klandestinë kufirin tokësor me Greqinë në territorin e Sarandës. Kjo do të thotë se 20 veta në ditë gjatë 2008-ës ishin regjistruar si klandestinë të dështuar në aventurën e tyre. Por kësaj shifre i duhet shtuar edhe një numër sado i pakët, që ka mundur t‘u shpëtojë kontrolleve të patrullave policore, apo atyre të kufirit.

Në fund të muajit të parë të këtij viti, statistika e Komisariatit të Kufirit flisnin për 25 veta të përfshirë në këtë përplasje në kufi dhe e servirnin këtë si zbutje të dukurisë së kalimit të paligjshëm të kufirit, kur në fakt e vërteta është e kundërta, e dhënë edhe përmes kësaj shifre komprometuese. Pjesë e humbjes së shpresës për një punë në vend ka bërë që brezi i kufirit drejt Konispolit, apo Qafëbotës të mbetet i synuari dhe "i sulmuari" i përditshëm i dhjetëra njerëzve në moshë të re apo mesoburra, që ndiejnë përgjegjësinë e të mbajturit të vetes apo të familjes me bukë. Dhe hemorragjia e ikjes, e kërkimit të kufijve pa një certifikatë, apo pasaportë në xhep vazhdon me përditshmërinë e saj. Ata që marrin edhe rrezikun në sy në emër të një vendi pune, janë po aq sa kanë qenë, në mos më shumë. Në një masë të madhe "gjeografia" nga ata vijnë në kufirin më jugor, në Konispol, Qafëbotë e në shtigje të tjera, formon hartën e Veriut shqiptar, apo atë të disa zonave të Shqipërisë së Mesme, si Lushnja, Elbasani, Fieri, Mallakastra etj.

Me organizime të vogla, ata tregojnë se nuk kanë hequr dorë nga tentativat për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin. Ndryshe nga më parë, në këta muaj të parë të vitit 2009, ata ndihen qytetarë të pashqetësuar nga kontrollet policore, deri sa zbresin në stacionin e fundit të autobusit të linjës Sarandë-Butrint. Madje edhe në të kapërcyer të lundrës së Butrintit nuk i pret si zakonisht postblloku i policisë kufitare. Policia kufitare, e tërhequr për të mos rënë nën akuza të ngjashme me ato që e cilësuan si shkaktare të tragjedisë së Butrintit nëntorin e vitit të kaluar, ka hequr shërbimet e veta nga kanali i Butrintit. Pas kalimit të këtij momenti, udhëtimi i "klandestinëve" vazhdon më këmbë, duke përshkuar fushat e Xarrës, për të dalë në Konispol, ku mundësohet kalimi klandestin në shtigje të verbra që njihen mirë nga përsëritësit e kësaj aventure, apo nga udhërrëfyesit e paguar. Rrugëtimi i klandestinëve në këtë zonë bën që të shtohet edhe ankthi i përplasjes së mundshme me patrulla kufitare nga të dyja anët e kufirit. Por ata duken të vendosur në aventurën e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›