E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia kërkon Romeo Purizon, akuzohet për trafik

Romeo Purizo, një prej shqiptarëve që mbijetoi në gomonen e humbur pak ditë më parë në brigjet e Kroacisë, kërkohet nga Italia për trafik ndërkombëtar droge, si edhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Gjykata e Milanos kishte dhënë masë arresti me burg për Purizon disa vjet më parë dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai ka qenë në kërkim. Shteti italian ka filluar procedurat për ekstradimin e tij për qëllime gjykimi dhe ka përpiluar dokumentacionin e plotë për dyshimet që ka ndaj Purizon. 43-vjeçari ndodhet i izoluar në Dubrovnik të Kroacisë deri në sqarimin e plotë të çështjes, nga ku mund të përcillet drejt Italisë, nëse gjykata shqiptare do ta japë lejen e ekstradimit për të. Policia shqiptare do të hetoje edhe rastin e fundit, ku nga vetë Purizo është deklaruar se dalja në det ishte për qëllime peshkimi. Pas dyshimeve të policisë italiane për trafik droge, për Purizon kanë filluar hetimet për aktivitetin e kohëve të fundit në Shqipëri. Romeo Purizo dhe dy vëllezërit Niko e Sotir Golaj, humbën në det të hapur me një gomone në datën 20 janar. Ata u nisën nga bregdeti i Vlorës dhe pas pesë ditësh u gjetën në ujërat kroate. Ndërsa Romeo Purizo i shpëtoi vdekjes, dy vëllezërit Golaj humbën jetën, njëri prej të cilëve ende nuk është gjetur. Familjarët e të humburve thanë se të tre ishin nisur për peshkim në orët e natës, me një gomone me motor të vogël, 20 kuaj fuqi. Por familjarët u shqetësuan vetëm pas dy ditësh për fatin e tre "peshkatarëve", duke e bërë policinë të dyshonte se nuk bëhej fjalë për peshkim, por për trafik. Megjithatë, duke mos pasur asnjë provë në dorë, Policia e Vlorës nuk ndërmori asnjë hap për hetimin e çështjes në këtë aspekt, por u përqendrua në organizimin e punës për kërkimin dhe shpëtimin e tre personave, të cilët trafikantë apo peshkatarë, tashmë ishin njerëz në rrezik. Më shumë se 72 orë kërkime që u shtrinë nga bregdeti i Veriut të Shqipërisë deri në Jug të Kroacisë rezultuan të pafrytshme. Një nga vlonjatët, Romeo Purizo, i njohur në qytet si skafist me përvojë, arriti të dilte vetë në breg në një ishull të Arkipelagut të Adriatikut, pranë Dubrovnikut të Kroacisë. Pranë vendit ku doli i gjallë Purizo u gjet i pajetë disa orë më vonë një nga vëllezërit Golaj, si dhe gomonia me të cilën të tre kishin udhëtuar. Policia shqiptare përsëri nuk deklaroi fillimin e ndonjë hetimi për shkelje të moratoriumit për mjetet lundruese, apo për trafik të paligjshëm, ndërkohë që Purizo mbeti i bllokuar në Dubrovnik, ku për shumë ditë me radhë qëndroi në spital, nën terapi intensive për ta nxjerrë nga gjendja e rëndë shëndetësore. Tashmë, kur pritej që i mbijetuari të kthehej në shtëpi, Interpol Roma kërkon ekstradimin e Purizos në Itali, ku figuron person i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›