Merrnin 1000 euro për person, kapen udhërrëfyesit
Policia kufitare e Kakavijës ka arrestuar dje dy persona, të cilët akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Ardian Bullari, 34 vjeç, dhe Albert Mici, 29 vjeç, të dy nga Divjaka, u kapën dje paradite nga njësiti i shërbimit të policisë kufitare të Kakavijës, në vendin e quajtur rruga e Mullirit, poshtë Pikës së Kalimit të Kufirit. Këta shtetas ishin bashkë me pesë persona të tjerë, mes të cilëve dy fëmijë 4 dhe 7 vjeç dhe tentonin të kalonin kufirin për në Greqi në mënyrë të paligjshme. Nga intervistimi dhe puna profesionale e bërë nga ana e specialistëve për hetimin e krimit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër ka rezultuar se: të dy shtetasit e lartpërmendur kishin marrë përsipër kalimin e kufirin në mënyrë të paligjshme të pesë shtetasve nga fshati Spolat i Lushnjës, kundrejt pagesës prej 1000 eurosh për secilin.