Në ndihmën ekonomike,105 viktima të trafikut
Janë rreth 105 viktima të trafikut, që do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Ato janë evidentuar nga qendrat e rehabilitimit të ngritura në shumë qytete të vendit. Projektligji për shërbimet shoqërore, i cili pritet të miratohet në Kuvend, e ka përfshirë këtë kategori në grupin e përfituesve. Komisioni kuvendor për punën e çështjet sociale diskutoi dje, nen për nen, ndryshimet e projektligjit që ka të bëjë me administrimin e qendrave për rehabilitimin e viktimave të trafikut. Sipas draftit nga buxheti i shtetit do të programohen çdo vit për Ministrinë e Punës, fondet për financimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror për viktimat e trafikimit, të cilat i transferohen organeve të qeverisjes vendore ku funksionojnë këto qendra. Qendrat do ta përfitojnë financimin, vetëm nëse ato kanë një marrëveshje tripalëshe me Shërbimin Social Shtetëror dhe njësinë e qeverisjes vendore ku ofrojnë shërbimin. Në marrëveshje përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe struktura e qendrës që do të mbikëqyrë administrimin”, thuhet në projektligj. Buxheti për 105 viktimat që do të përfitojnë ndihmë ekonomike është përllogaritur në shifrën e 3.3 milionë lekëve. Pagesa mujore për çdo person do të jetë 2600 lekë në muaj.