Cilësia e Mjedisit, Shqipëria shpallet e 23-ta në botë
Shqipëria renditet e 23-ta në botë për indeksin e performancës mjedisore. Raporti është publikuar në Zvicër dhe vendi ynë është e vlerësuar me 71.4 pikë, nga 100 të mundshme. Në renditje bëjnë pjesë 163 vende të monitoruara nga EPI. Ministria e Mjedisit bëri me dije se monitorimi, vlerësimi, hartimi dhe publikimi i raportit është bërë nga katër qendra të specializuara dhe prestigjioze ndërkombëtare për mjedisin. Bëhet fjalë për Universiteti i Yale-s (Qendra për Politikat dhe Legjislacionin Mjedisor) dhe Universiteti Columbia (Qendra për Rrjetin Informativ Ndërkombëtar për Shkencën e Tokës) në SHBA, Qendra Kërkimore e Përbashkët e Komisionit Evropian në Ispra, Itali dhe Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës. “Rezultatet janë nxjerrë nga grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave nga institucione të specializuara si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), UNICEF, FAO, etj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit. Kategoritë e monitoruara, përfshirë mjedisin e shëndetshëm, cilësinë e ajrit, menaxhimin e burimeve ujore, biodiversitetin dhe habitatet, pyjet, peshkimin, bujqësinë dhe ndryshimet klimatike. “Janë monitoruar 25 tregues si përmbajtja në ajër e dioksidit të sulfurit, ozoni, karboni industrial, grimcat e pluhurit, emisionet në ajër për frymë të popullsisë, përdorimi i pesticideve, biodiversiteti, zonat e mbrojtura, indeksi i cilësisë së ujit”, bëri me dije Ministria e Mjedisit. Treguesit e publikuar nga të dhënat e monitoruara janë vlerësuar edhe në kuadrin e masave dhe politikave që janë ndjekur për përmirësimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.