Rinas, rritet me 10% numri i pasagjerëve
Një vit i plotë suksesi mund të konsiderohet viti që lamë pas për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ka shënuar një rritje të gjithanshme. Kështu gjatë 2009-ës ky aeroport ju shërbeu 1,394,688 pasagjerëve, numër që në përqindje përkthehet 10.1% rritje krahasuar me 2008-ën. Ky rezultat dëshmon një performancë të shkëlqyer, për një nga infrastrukturat më të mira në vend. Po kështu duke ju referuar statistikave të tjera, TIA ka shënuar 20,064 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe ka përpunuar 1,711 tonë mallra. Të gjitha këto përfaqësojnë një rritje prej 4.5 për qind të ATM-ve, në ndryshim nga që transporti i mallrave që ka regjistruar një zbritje prej 13 për qind. Me këto të dhëna, TIA për vitin 2009 është cilësuar si një prej aeroporteve me rritjen më të madhe në Evropë dhe këtë performancë e komenton edhe drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebberken. “Rritja që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka treguar gjatë vitit të kaluar është dëshmi e fortë e meritave tona. Edhe në kohë krize kemi shënuar rritje mjaft të dukshme. Ne jemi shumë krenarë për vazhdimësinë e sukseseve tona. Duke pasur parasysh zgjerimin e tregut të biznesit të udhëtimit në Shqipëri, TIA parashikon mundësi edhe më të mëdha rritjeje, së bashku me partnerët tanë në linjat ajrore”, shprehet ajo. Në një pasqyrim më të detajuar të shërbimeve, mund të themi se sot në TIA operojnë dymbëdhjetë linja ajrore të cilat e lidhin kryeqytetin me 33 destinacione të ndryshme, duke përfshirë këtu Zyrihun, Liezhën dhe Shtutgartin, të cilat u përuruan gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Vendimi i linjave ajrore për të shtuar numrin e destinacioneve bazohet mbi rritjen mbresëlënëse që ka pasur aeroporti në numër pasagjerësh dy vitet e fundit. TIA ka treguar seriozitet në lidhje me përkushtimin e saj kundrejt pasagjerëve, linjave ajrore dhe klientëve, duke u ofruar atyre përherë standardet më të larta. çdo ditë Aeroporti përpiqet të ofrojë një shërbim gjithnjë e më cilësor, dhe ai vazhdimisht përpiqet për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për pasagjerët dhe klientët e tij.