Rritje pagash gjyqtarëve në Fakt e Apel
Armand Bajrami
Ministria e Drejtësisë po përgatit një projektligj për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Lajmi bëhet i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Në një prononcim për mediat, Nishani garantoi dje se ka nisur puna për hartimin e projektligjit, që do të mundësojë përmirësimin e trajtimit financiar të togave të zeza. Sipas ministrit, projektligji do të paraqitet së shpejti për miratim në Qeveri. Numri një i Ministrisë së Drejtësisë pohoi gjithashtu se paketa e reformës në drejtësi do të jetë gati brenda këtij viti.
RRITJA E PAGAVE
“Në pozicionin e Ministrit të Drejtësisë, kam marrë porosi të veçanta nga Kryeministri, për t’u angazhuar në dy drejtime që kanë të bëjnë me pjesën e suportit administrativ dhe kushteve të punës së Gjykatave. Së pari për të parë mundësinë për të paraqitur në Qeveri një ligj të ri për rritjen e pagave të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit”, u shpreh dje ministri Nishani. Sipas Ministrit të Drejtësisë, kjo nismë lind si domosdoshmëri për shkak të “përjashtimit” të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit nga rritjet e pagave, si rezultat i ligjit aktual “për organizimin e pushtetit gjyqësor”. “Kjo ka lindur si domosdoshmëri për faktin se ligji ‘për organizmin e pushtetit gjyqësor’, e referon pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit me përqindje, me pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, i cili e ka pagën e barabartë me atë të ministrit. Ndërkohë që, për shkak të politikës së kësaj Qeverie për të mos rritur pagat e larta, por ato të ulëta dhe të mesme, paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk ka pësuar rritje dhe indirekt edhe ajo e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit”, deklaroi Nishani.
REFORMA
Ministri theksoi dje se reforma në drejtësi do të jetë gati brenda këtij viti. “çështja e hartimit të strategjisë për reformën në drejtësi është një detyrim konkret i këtij institucioni”, u shpreh Nishani. Sipas ministrit, nga KLD, Prokuroria dhe Gjykatat po punohet për të paraqitur mendimet e tyre mbi këtë draft. Ministri shprehu dje vlerësimin e tij për punën e Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjithashtu Nishani komentoi deklaratën e kreut të Prokurorisë së Apelit për ankesa drejt Gjykatës së Apelit. “Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur asnjë lloj ankese nga prokuroria”, u shpreh Nishani.
Ankohen 14 punonjës
Një numër punonjësish të Ministrisë së Drejtësisë, përmes një peticioni publik, drejtuar Kryeministrit Berisha, Ambasadës së SHBA, KE-së dhe organizmave të huaj në Tiranë, denoncojnë shkurtimin e numrit të punonjësve të këtij dikasteri nga 136 në 122. Ata thonë se shkurtimi është formal, pasi ndërkohë që po largohen nga puna, të tjerë njerëz po paraqiten në këto funksione të reja. Sipas punonjësve që kanë firmosur peticionin, kjo që po ndodh në Ministrinë e Drejtësisë nuk është reformë por sipas tyre, shkatërrim i këtij institucioni.