Aksident ne Fier humb jeten 2 vjecari

Një vogëlush 2 vjeçar ka humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e së premtes në fshatin Kallm të rrethit të Fierit. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në afërsi të banesës së Luftar Buzit, babai i vogëlushit Dionis Buzi. Në rrethana ende të paqarta 2 vjeçari u gjend nën rrotat e kamionçinës që mblidhte qumësht në këtë fshat. Si pasojë ai ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën pak minuta pas mbërritjes në spital. Kamioni i cili drejtohej nga Bashkim Muha 37 vjeç nga fshati Kallm ishte i ndaluar në afërsi të banesës së familjes Buzi për të marrë qumështin ashtu siç bënte çdo mbrëmje. Nga burimet e rrugorëve të Fierit mësohet se automjeti ka qenë i ndalur ndërsa fëmija kishte hyrë në pjesën e rrotave të pasme të tij. Drejtuesi i mjetit nuk e ka parë dhe ka nisur kamionin duke marrë pas 2 vjeçarin. Dyshohet që kjo ngjarje të jetë shkaktuar nga pakujdesia e prindërve të vogëlushit dhe e drejtuesit të mjetit . Ky i fundit është shoqëruar në komisariatin e Fierit ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.