Haxhinasto: Statusi, kohën ta shfrytëzojmë me reforma
Zv/kryeministri: Provimi i vjeshtës, pozitiv
“Shqipëria duhet të punojë me mbylljen e reformave të domosdoshme për të ecur përpara në rrugën e integrimit”. Kështu u shpreh dje zv/kryeministri Edmond Haxhinasto gjatë një konference të përbashkët me Helen Clark, kryetare e grupit të Zhvillimit të OKB dhe administratore e UNDP. Haxhinastoi kërkoi më shumë vullnet politik për realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Sipas tij, vendi ynë i ka të gjitha shanset për marrjen e statusit kandidat në BE në vjeshtën e këtij viti.
“Nuk do të dëshiroja që askush të mos merrej me komentin e komenteve, por të shfrytëzojë kohën që ka mbetur deri në marrjen e vendimit për statsusin e vendit kandidat, duhet përfunduar reforma zgjedhore, reforma e procedurave parlamentare, do të ishte mirë të përfundonim reformën për imunitetet dhe sigurisht, të vazhdonim reformën edhe për çështjet e tjera që janë pjesë e paketës së miratuar në nëntorin e kaluar”- tha ai. Komentet e tij, zv/kryeministri, Edmond Haxhinasto u bënë gjatë konferencës me kryetaren e grupit të zhvillimit të OKB-së, Helen Clark. Zonja.Klark ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në reformën “Një OKB”, ndërsa tha se Shqipëria po ecën në rrugën integruese. “Nisma “Një OKB” është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ne do të mbështesim nismat e marra nga Shqipëria. Përfaqësuesja e OKB-së gjithashtu kërkoi angazhimin e të gjitha vendeve për finalizimin me sukses të kësaj nisme. Kemi bërë një punë të madhe. Falenderoj Shqipërinë dhe 8 vendet pilote të nismës “Një OKB”. Nuk është periudhë e lehtë por duhet të bashkërendohemi dhe të bëjmë më të mirën duke pasur parasysh nismën”- shtoi ajo.