E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Gramsh, vdes 5-vjeçari, plagosen 8 të tjerë

Familjet Merzheku ktheheshin nga një vizitë tek të afërmit e tyre. Dy të plagosur, transportohen me helikopter në Tiranë
Policia: Shkak i aksidentit, rruga e ngrirë dhe rrëshqitja e automjetit. Makina përfundoi 30 m në humnerë
GRAMSH-Një 5-vjeçar ka gjetur vdekjen dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur, si pasojë e një aksidenti, mesditën e djeshme në Gramsh, ku u përfshi një familje e tërë. Drilon Merzheku, 5-vjeç, humbi jetën menjëherë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin 9 persona doli nga rruga, u përmbys dhe ra disa metra poshtë në vazhdimin e rrugës tjetër. Sipas
burimeve të policisë, bëhet e ditur se mjeti tip "Benz", me targë DR 28 71 E, me drejtues Hasan Merzhekun, i cili udhëtonte nga Gramshi në drejtim të Elbasanit, ka humbur drejtimin e për pasojë ka rënë rreth 30 metra në një greminë, në fshatin Cingarë. "Nga aksidenti ka gjetur vdekjen Drilon Merzheku, 5-vjeç, ndërkohë që ndodhen në gjendje të rëndë për jetën shtetasit: Ornela, 5-vjeçe; Estrida, 4-vjeçe; Elfrida, nëna e fëmijëve,
25-vjeçe; Kledis, 4-vjeç; Gazmor Merzheku, 32-vjeç; Enovila, 23-vjeçe dhe Hasan Merzheku, 29-vjeç",- thanë burimet policore.
Ngjarja ndodhi në afërsi të Fshatit Cingar, në rrugën nacionale Gramsh-Cërrik, kur dy vëllezër së bashku me familjet e tyre, gratë dhe pesë fëmijë, ishin duke u kthyer pas një vizite tek të afërmit në qytetin e Gramshit. Ndërsa për të miturin, i gjendur në pjesën e përparme të mjetit nuk ka pasur asnjë shpresë jete, për dy fëmijët e tjerë Merzheku, dëmet kanë qenë të shumta dhe po kështu për njërën prej nënave. Menjëherë mjete të rastit kanë transportuar për në spitalin e Gramshit 8 të plagosurit.
Mjekët kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë me anë të helikopterëve për transportin e dy prej të plagosurve, të cilët kishin edhe dëmtime më të rënda. Mësohet se në gjendje të rëndë është transportuar vajza e drejtuesit të mjetit dhe kunata e tij. Burime nga spitali Ushtarak bëjnë të ditur se vajza i është nënshtruar një operacioni dhe aktualisht ndodhet në dhomën e reanimacionit, ndërsa ndodhet ende në sallë bashkëshortja e një prej vëllezërve Merzheku.
Policia bën me dije se ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht shkaqet e këtij aksidenti, që i mori jetën fëmijës 5-vjeçar. Policia rrugore e mbërritur në vendin e aksidentit ka deklaruar se një ndër shkaqet e aksidentit mendohet të jetë rruga e ngrirë dhe rrëshqitja e mjetit. "Drejtuesi i mjetit, Hasan Merzheku, babai i fëmijës së vdekur ka humbur kontrollin dhe nuk ka mundur të manovrojë për të evituar daljen nga rruga dhe rrokullisjen",- thonë burimet policore. Ndërsa dy prej të aksidentuarve janë transportuar me urgjencë në spitalin Ushtarak me anë të helikopterit, 6 të aksidentuarit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Gramshit.
Dy vëllezërit Merzheku së bashku me familjet kishin mbërritur për vizitë me rastin e festës së fundvitit tek të afërmit e tyre në Gramsh. Ata jetonin në Durrës dhe ishin nisur në mesditë për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, por ngrica ka qenë fatale, pasi për shkak të temperaturave shumë të ulëta të këtyre ditëve ka qenë e pamundur shkrirja. Hetimet në vijim, sipas policisë do të përcaktojnë edhe shkaqet që sollën aksidentin për dy familjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›