Zihen për aksidentin, plagoset me thikë 20-vjeçari
Shkodër-Zihen për një karambol, që dëmtoi automjetet e tyre, por gjatë debatit, një 20-vjeçar mbetet i plagosur me thikë dhe përfundon në spital. I riu, Fatjon Guri u dërgua dje në spitalin rajonal të Shkodrës, pasi u qëllua me thikë nga një person akoma i paidentifikuar. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koplik, ku në afërsi të Gruemirës janë aksidentuar dy automjete autovetura. Pasi janë dëmtuar vetëm mjetet, personat që ndodheshin në to, në mes të cilëve dhe 20-vjeçari Fatjon Guri nga fshati Grizhë, kanë dalë prej tyre dhe kanë nisur të konfliktohen lidhur me shkakun e aksidentin. Të dyja palët ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës, duke diskutuar më shumë për dëmin që duhet të paguanin për riparimin e mjeteve të dëmtuara, pasi të lënduar nuk ka pasur. Në këtë moment, konflikti është ashpërsuar dhe 20-vjeçari Guri është goditur me thikë, duke marrë plagë të rënda. Menjëherë autori është larguar me mjetin e tij, një autoveturë me targa të huaja, ndërsa i dëmtuari është dërguar në spital. Policia po punon për identifikimin e kapjen e autorit, ndërsa po kërkon mbi bazën e të dhënave për mjetin me të cilin ai është larguar. I dëmtuari nuk ka mundur të japë sqarime rreth autorit, e po ashtu edhe personat e tjerë.