Aksident në Kavajë, tre të vdekur, 1 i plagosur
KAVAJE - Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari dhe plagosjen e 3 personave të tjerë ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në unazën e re të qytetit të Kavajës. Përplasja e dy makinave ka rezultuar fatale për drejtuesin e njërit prej automjeteve, Edmond Haka, ndërsa shoferi tjetër, Elvis Lala, tashmë i arrestuar, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit. Të plagosur rëndë në këtë ngjarje kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, që ndodheshin në automjetin e drejtuar nga Lala, vëllai i tij, Klaudjo Lala dhe një shtetas italian 73-vjeçar, Emilio Rizzo. Sipas specialistëve të Hetimit të Aksidenteve, ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, me të cilën po drejtonte makinën tip fuoristradë “Ford Eeverest”, me targë BY 322 LP, 26-vjeçari Elvis Lala, e favoriuar edhe nga moti me shi dhe errësira. Furistrada e drejtuar nga Lala është përplasur me një makinë tjetër tip “Golf” që ndodhej para saj, duke e goditur në pjesën e pasme. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i “Golfit”, me targë TR 5328 R, Edmond Haka, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në të njëjtën kohë janë plagosur rëndë edhe drejtuesi i fuoristradës dhe dy personat që ndodheshin në makinë me të, si pasagjerë. Policia i ka transportuar për në Spitalin e Durrësit të 3 të aksidentuarit, ku sipas mjekëve, në gjendje më të rëndë shëndetësore është i moshuari me kombësi italiane, ndërsa gjendja e dy vëllezërve, Elvis dhe Klaudjo Lala paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur materialet në prokurori në ngarkim të 26-vjeçarit, Elvis Lala, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.