E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania në “zi”, pa Balak në Botëror



Kapiteni i Kombëtares gjermane, Mikael Balak ka mbetur jashtë këtij Botërori, për shkak të dëmtimit të tij shumë të rëndë në këmbën e djathtë.
Ka qenë “tradhtari” me origjinë gjermano-ganeze, lojtari i Portsmuthit, Kevin-Princ Boateng, që sajoi këtë “tragjedi” kundër mesfushorit të çelsit, Mikael Balak, i cili në dyluftim me 23-vjeçarin, Boateng për finalen e Kupës së Anglisë, e ka parë veten të dërmuar ku për shkak të asaj ndërhyrjeje brutale, detyrohet të eci me paterica. Federata Gjermane e Futbollit bëri të ditur përfundimisht, se mesfushori gjerman, Balak nuk do të marrë pjesë në këtë Botëror. “Zhgënjimi është tepër i madh” - nënvizoi 33-vjeçari Balak, i cili ka zhvilluar 98 ndeshje me fanelën e Kombëtares gjermane. Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka grumbulluar 19 nga 26 kandidatët, të cilët kanë udhëtuar për në Siçili të Italisë, për të zhvilluar disa seanca stërvitje, duke pritur edhe shtatë futbollistët e Bajernit të Mynihut ku bashkë me ta më 24 maj do të rehabilitohen në Tirolin Jugor për të kryer seancat parapërgatitore të Botërorit Afrikë e Jugut, 2010. Mbetet problem pasuesi dhe zëvendësuesi i pozicionit të kapitenit dhe mesfushorit gjerman, Mikael Balak, ku sipas deklaratave të tij, më favoriti do të jetë mesfushori bavarez, Bastian Shvajshtaiger. “Ndodhemi në çaste kritike, pasi kanë mbetur shumë pak ditë për të përcaktuar sistemin e ri të trajnerit tonë në mungesën time. Mendoj se duhet të presim dhe finalen e Champions-it. Mendoj se me ecurinë, formën dhe karakterin e tij, Bastian Shvajnshtaiger (73 ndeshje me fanelën e kombëtares) mbetet një nga kandidatët më të fortë, pa anashkaluar dhe zëvendës kapitenin Filip Lahm” - deklaroi Balak. Ndërkohë menaxheri i përfaësueses gjermane, Oliver Bierhof, ka takuar nga afër Balak. “është një goditje e rëndë për vetë Balakun dhe gjithë Gjermaninë. Mikaeli është një kapiten dhe një mesfushor me nivel të lartë, më vjen shumë keq që ai për pak kohë do të kthehet një vizitor i mjekëve, dhe jo delegat i kombëtares sonë në Afrikën e Jugut. Përfaësuesja jonë përbëhet nga lojtar shumë cilësorë, të cilët tani mendoj se do të jenë dyfish të motivuar për të triumfuar”, ka thënë Bierhof.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›