E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja në buzuk, dy bodigardët në kërkim



Etleva Delia

Policia e Tiranës identifikoi dhe shpalli në kërkim me akuzën e “plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, dy bodigardët që plagosën vëllain e deputetit socialist të Laçit, pas një sherri në një buzuk në Tiranë. Personat që kanë goditur me karrige dhe objekte të tjera në kokë dhe në trup biznesmenin Arben Prenga, sipas policisë dyshohet të jenë Urim Marku dhe Besnik Smajli, dy truprojat e lokalit ku ndodhi ngjarja. Njëri prej të kërkuarve, Urim Marku, është vëllai i bodigardit tjetër Shpëtim Marku, që mbeti i plagosur me armë nga një e shtënë pistolete, që dyshohet të jetë shkrepur nga Arben Prenga. Sipas policisë, pasi ka qëlluar me armë, Arben Prenga është sulmuar nga dy rojet e tjerë të sigurisë së lokalit, në shenjë hakmarrje për plagosjen e bodigardit 36-vjeçar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, në ambientet e lokalit me muzikë live, tek “Rruga e Barrikadave”, pranë “9 Katësheve”, në praninë e dhjetëra klientëve. Shkak i ngjarjes ka qenë një debat mes truprojës të lokalit dhe biznesmenit Arben Prenga, që ndodhej në njërën prej tavolinave me disa miq të tij. Sipas deklaratave që dëshmitarët okularë kanë dhënë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, truproja ka parë se në tavolinën ku ndodhej Arben Prenga dhe disa persona të tjerë situata po dilte jashtë kontrollit, pasi sipas tij, klientët ishin në gjendje të dehur. Bodigardi Shpëtim Marku ka ndërhyrë, duke u kërkuar që të dilnin nga lokali, pasi buzuku do të mbyllej, por kjo nuk është pritur mirë nga klientët, të cilët kanë nisur të thyejnë gotat dhe shishet që kishin në tavolinë. Në këtë moment Shpëtim Marku ka kapur nga krahu biznesmenin Arben Prenga, duke e tërhequr për ta nxjerrë jashtë ambientit të buzukut. Sipas policisë, Arben Prenga ka dalë jashtë lokalit dhe në makinën e tij, të parkuar në anë të rrugës, ka marrë pistoletën dhe është kthyer sërish brenda. Ai dyshohet se ka qëlluar me armë Shpëtim Markun, por është sulmuar menjëherë vëllai i të plagosurit, Urim Marku dhe truproja tjetër, Besnik Smajli, tashmë të shpallur në kërkim, të cilët e kanë goditur me karrige në kokë. Policia sqaroi se i plagosuri Arben Prenga, njëkohësisht edhe i dyshuar si autor i plagosjes së bodigardit, është vëllai i deputetit socialist, Armando Prenga, i zgjedhur në qarkun e Lezhës dhe që përfaqëson në Kuvend zonën e Laçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›