E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motoçiklistët “tërbojnë” policët



GJIROKASTER/ PIRO NASE

Tre motoçiklistë tërbojnë policinë e Gjirokastrës. Me shpejtësi ata kanë çarë tre postblloqe të uniformave blu, në rreth 40 km largësi, për t’u kapur vetëm në afërsi të Tepelenës. Dy prej tyre u arrestuan për mosbindje të urdhrave të policisë, ndërsa i treti do të ndiqet në gjendje të lirë, pasi u vetëdorëzua. Policia bëri të ditur se arrestoi 21-vjeçarët Klement Killo dhe Indrit Belegu, të dy nga Durrësi. Dy të rinjtë, së bashku me bashkëqytetarin e tyre, Kreshnik Kuci, 20 vjeç, po udhëtonin me motoçikletat e tyre nga qyteti i Sarandës, në drejtim të Durrësit. Në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Kakavije, në afërsi të fshatit Dervician, gjatë orëve të pasdites së të dielës, patrulla e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ka sinjalizuar tre shtetasit të ndalonin motoçikletat e tyre me arsyen se po udhëtonin me shpejtësi tej normave të lejuara. Por, sinjali u refuzua nga tre të rinjtë, të cilët kanë vazhduar rrugëtimin me shpejtësi akoma më të madhe. Menjëherë patrulla e qarkullimit rrugor ka lajmëruar Sallën Operative të Drejtorisë së Qarkut për ndihmë dhe menjëherë, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës u instalua një postbllok tjetër policie me pjesëmarrjen edhe të patrullës së përgjithshme dhe Policisë së Rendit të Komisariatit. Kur të tre motoçikletat janë afruar në postbllok, policia ka bërë shenjë të ndalojnë dhe ka bllokuar rrugën, por të tre shtetasit përsëri nuk i janë bindur urdhrit të policisë, duke u larguar dhe rrjedhimisht “shpërthyer” postbllokun. Patrulla e Përgjithshme është vënë në ndjekje të tyre dhe në zonën e Ujit të Ftohtë të Tepelenës dhe vetëm aty ka mundur të ndalojë Klement Killon, njërin prej motoçiklistëve. Madje Killo ka kundërshtuar forcat e policisë gjatë ndalimit të tij, ndërsa dy motoçiklistët e tjerë, kanë vazhduar ikjen. Njëri prej të dyve është kapur 3 km më larg nga ana e postbllokut policor, që kishte bllokuar rrugën me mjete të shumta, në mënyrë që motoçiklistët mos të vijonin arratinë. Indrit Belegu është kapur ndërsa i treti ka shpërthyer postbllokun e policisë dhe është larguar në drejtim të Tepelenës me shpejtësi të madhe. Në Memaliaj motoçiklisti i tretë, Kreshik Kuci, është vetëdorëzuar. Të tre të rinjtë janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Qarkut për veprime të mëtejshme, ku nga veprimet e para hetimore rezultoi se ata nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, pasi motoçikletat e tyre ishin me dokumentacion të parregullt për të qarkulluar. Policia nga ana e saj ka bllokuar të tre motoçikletat në cilësinë e provës materiale, si dhe u arrestuan Klement Killo e Indrit Belegu për veprat penale të fyerjes për shkak të detyrës, kundërshtim i punonjësve të rendit publik dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë. Ndërsa Kreshnik Kuci, i cili u vetëdorëzua në postbllokun e policisë në Memaliaj, ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës për të njëjtat vepra penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›