E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Valbonë, vdes motoçiklisti nga Kosova

Tropojë

Përgjaket nga një aksident automobilistik Lugina e Valbonës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës dhe viktima është një shtetas i Kosovës. Viktima, Mujë Berisha, 40 vjeç, lindur dhe banues në Klinë të Kosovës, po udhëtonte me një shokun e tij tropojan drejt luginës së Valbonës me motoçikletë. Burime të Policisë së Qarkut të Kukësit tregojnë se 40-vjeçari nga Klina humbi jetën në ujërat e lumit Valbonë, pasi motoçikleta me të cilën udhëtonte u përplas me një automjet në rrugë dhe më pas u rrëzua rreth 70 metra poshtë rrugës. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në parkun turistik të Tropojës, ndërsa i plagosur ka mbetur bashkudhëtari i tij, Artur Halili, 37 vjeç, nga fshati Viçidol i Tropojës së Vjetër. Policia lokale bëri të ditur se drejtuesi i motoçikletës, shok dhe mysafir i Halilit, ka humbur kontrollin dhe i ka prerë rrugën një automjeti. Ndërkohë që Berisha ka ndërruar jetë në moment, 37-vjeçari Halili është nxjerrë nga disa udhëtarë të rastësishëm dhe është dërguar në spitalin e rrethit me plagë të rënda ku ndodhet nën kujdesin mjekësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›