Eagle, gjykata dënon me 69 vjet burg të pandehurit
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 69 vite burg të arrestuarit gjatë operacionit të koduar të policisë “Eagle”, ndërsa tre personave që u ndaluan shpallën të pafajshëm për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike. Vendimi është dhënë mesditën e djeshme nga drejtuesi i Kolegjit Penal, Ardit Mustafaj. Sipas vendimit i pandehuri Gjergj çollaku është dënuar 13 vjet burgim, Juxhin Kulla me 12 vjet, ndërsa të pandehurit Aleko Jorgaqi, Roni Dhimitri, Altin Sotomeni dhe Artur Fecanji janë dënuar me 11 vjet burgim secili. Ndërkohë, gjykata shpalli të pafajshëm të pandehurit Ernest Nane, Rexhep Abdillari dhe Dritan Muça. Të pandehurit ranë në pranga më 2 nëntor të vitit 2007, ndërkohë që hetimet në ngarkim të tyre kanë nisur një vit më parë pas sinjalizimit nga shteti grek, i cili kishte sekuestruar një sasi lënde narkotike e llojit heroinë. Gjatë hetimeve të prokurorisë u përdorën edhe agjentë të infiltruar. Të pandehurve iu sekuestruan 27.2 kilogramë heroinë, 579 gramë kokainë, 133.5 kilogramë marijuanë, si 116.6 kilogramë përzierës.
#