Elbasan, arrestohet roja i shkollës ku u vra maturantja
Prangoset roja i shkollës së mesme të përgjithshme “Mahir Domi”, në Elbasan, ku mëngjesin e dy ditëve më parë u vra me armë zjarri maturantja Gerta Bahja. Burime nga policia bëjnë të ditur se dje është ndaluar Naim Tahiraj, lindur dhe banues në Elbasan, i cili punon si rojë në shkollën “Mahir Domi”. Sipas Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, ndalimi u bë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke lejuar persona të huaj dhe të paautorizuar të futeshin në ambientet e shkollës. Ndërkaq dje në mesditë është përcjellë për në banesën e fundit 20-vjeçarja Gerta Bahja, e cila u ekzekutua mëngjesin e së martës në ambientet e klasës së saj. Familjarë, të afërm, mësues, shokë dhe shoqe të së ndjerës përcollën mes dhimbjes dhe lotësh maturanten, e cila u ekzekutua me tre plumba nga i riu vlonjat Endrit Llambraj. Në ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deputeti Luçiano Boçi, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, prefekti Shefqet Deliallisi dhe kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini.
20-vjeçarja u vra mëngjesin e së martës nga 19-vjeçari Endrit Llambraj, në pushimin mes dy orëve të para të mësimit. I riu ka hyrë i armatosur në klasë dhe ka kërcënuar nxënësit, duke i nxjerrë jashtë. Më pas ka qëlluar tri herë me pistoletë mbi vajzën që pretendonte se e dashuronte dhe është larguar me shpejtësi. Në afërsi të parkut “Rinia”, për t’i shpëtuar prangosjes së policisë, ai është vetëvrarë me të njëjtën armë që ekzekutoi 20-vjeçaren.
Dy të rinjtë ishin njohur gjatë një ekskursioni që vajza nga Elbasani kishte bërë me klasën në Vlorë. Vajza nuk e kishte pranuar dashurinë e 19-vjeçarit vlonjat, çka solli ekzekutimin e saj. Ndërkaq mësohet se policia ka gjetur në trupin e 19-vjeçarit edhe tetë fishekë pistolete, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike, kanabis sativa. Në qytetin e lindjes, autori i vrasjes njihej si njeri i qetë. Ai punonte pranë një lavazhi dhe prej disa muajsh jetonte me të motrën në Tiranë.
#