Vret motër e vëlla pas debatit për jonxhën
Toka dhe jonxha e vjedhur prodhojnë krimin e radhës në vend, për konfliktet e hapura për çështje pronësie. Një vrasje e dyfishtë është regjistruar në Qarkun e Durrësit, ndërsa policia ka angazhuar shërbime dhe forca të shumta për gjetjen dhe kapjen e autorit. Dhjetë mijë euro do të jepet nga policia për çdo informacion që do të ndihmojë në kapjen e vrasësit të dyfishtë, ndërsa garantohet anonimati i personave që japin informacion për të.
NgjarjaMotër e vëlla, Xhevrie Stafa, 50 vjeçe dhe Qemal çepani, 41 vjeç, kanë gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi u qëlluan me armë zjarri nga një 30-vjeçar. Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës në fshatin Fushë Thumanë të Krujës, rreth orës 11:50, ku pas një konflikti të vazhdueshëm për probleme pronësie u qëlluan me armë zjarri motër e vëlla. Megjithëse u dërguan me urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore, të dy gjetën vdekjen në spital. Shërbimet e policisë arritën të identifikojnë si autor të dyshuar të ngjarjes shtetasin Gëzim Ismail Zeneli, 30 vjeç me banim në fshatin Vinjoll të Laçit. Menjëherë pas krimit, i riu laçian është larguar nga vendi i ngjarjes dhe me gjithë kërkimet dhe postblloqet e ngritura për kapjen e tij, autori i dyshuar është në liri.
PoliciaDrejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka reaguar disa orë pas krimit, duke vënë në dispozicion të çdokujt që do të ofrojë informacion të besueshëm për vendndodhjen e autorit të vrasjes së dyfishtë një shumë prej 10 mijë eurosh. Ndërkaq janë bërë publike dhe numrat e telefonave ku mund të përcillen informacionet për Gëzim Zenelin: 0694102733, 052222266, si dhe numrat e telefonit ku mund të kontaktohet: 129 dhe 126.
KonfliktiViktimat, tri ditë më parë, kanë pasur një tjetër përplasje të radhës me autorin e ngjarjes. I dyshuari si autor i vrasjes së dyfishtë është akuzuar se ka vjedhur jonxhën në tokën e 50-vjeçares Xhevrie Stafa, gjë që ka shkaktuar përplasjen mes palëve. Familja Stafa dhe Zeneli ishin në konflikt prej vitesh, për një ngastër toke, pronësinë e së cilës e pretendonin të dyja palët. Tri ditë më parë, 50-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve kishte akuzuar të riun nga fshati Vinjoll se i kishte vjedhur jonxhën. Konflikti i nisur ditë më parë është mbyllur dje në mesditë me vrasjen e dy njerëzve në fshatin Fushë-Thumanë të Krujës. 50-vjeçarja ka marrë pesë plumba në trup, ndërsa i vëllai i saj tre plumba. Për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe kapur autorin janë vënë në dispozicion shërbimet e hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, si dhe strukturat e policisë së Komisariatit të Krujës dhe komisariateve fqinje.
Vali Qyrfyçi, Ardian Bushi
#