Berisha: Bllokqenëve të mos u qeshë buza. Nuk mund të bllokoni rrugët
Edi Rama nuk duhet të guxojë më të lëndojë dhe të ndëshkojë qytetarët shqiptarë, duke bllokuar rrugët nacionale të vendit. Ky ishte konstatimi dhe njëkohësisht apeli që erdhi dje pasdite nga kreu i qeverisë Sali Berisha, teksa po përuronte disa vepra infrastrukturore në Bashkinë e Kamzës. Duke marrë edhe shkas nga ngjarjet e fundit të ndodhura në qytetet kryesore të vendit, si pasojë e tentativave të protestuesve socialistë për bllokimin e rrugëve, Berisha i bëri thirrje Ramës që të qëndronte larg këtyre skemave. Kreu i qeverisë theksoi se këto mënyra protestash penalizojnë qytetarët shqiptarë. “Rama mund të puthet tre herë në ditë me Ramizin, por nuk duhet të guxojë të lëndojë qytetarët shqiptarë. Rrugët janë të publikut dhe qytetarëve, të atyre që transportojnë të sëmurët dhe të shëndoshët, të urgjencave. Askush nuk mund të mendojë se mund të ndëshkojë qytetarët duke u dalë përpara në rrugë”, bëri thirrje kreu i qeverisë duke folur për banorët e Kamzës. Për sa i përket grevës së opozitës, Berisha insistoi se ai ishte i gatshëm për të respektuar çdo të drejtë kushtetuese, për të gjithë qytetarët shqiptarë që donin të protestonin. “Jam këtu për t’u angazhuar se do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese për qytetarët shqiptarë, sepse ata do të jenë të garantuar. Por më duhet t’i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos u qeshë buza, se jeni gabim. Keni bërë ç’keni bërë, keni vrarë dhe eliminuar njëri-tjetrin, duhet të dini se ne demokratët jemi të përcaktuar të ecim drejt Europës”, bëri thirrje Berisha. Ndërsa dje paradite, gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri nëpërmjet batutave me gazetarët, ironizoi grevën e urisë së opozitës që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Kujdes se mos futeni në ndonjë dhomë të Kryeministrisë për grevë urie se do më prishni punë. Kujdes se mos mbeteni shkallëve”, iu drejtua Berisha me humor gazetarëve që në godinën e Këshillit të Ministrave po ndiqnin mbledhjen e radhës së qeverisë. Pavarësisht temperaturës së lartë të situatës politike, si pasojë e grevës së urisë dhe kërkesave të pazgjidhura të opozitës, dje në Kamëz Berisha përuroi disa vepra infrastrukturore. Në zonën e Bathores, kreu i qeverisë preu shiritin e një rruge që mban emrin e ish-deputetit të ndjerë të PD-së, njëkohësisht një nga themeluesit e partisë, Azem Hajdarit. Po dje, në këtë zonë, Berisha përuroi edhe fillimin e punimeve për rrugën nacionale Bashki-Ura e Tapizës me vlerë prej 361.570.716 lekësh. Në takimin me banorët pas përurimeve, kreu i qeverisë theksoi se qeveria është e vendosur për të vijuar investimet infrastrukturore në çdo zonë të vendit. Berisha theksoi se Shqipëria po ecën e sigurt drejt integrimit dhe së ardhmes europiane.
#