E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident në Vorë, treni shtyp dy gra të moshuara

• Pas tragjedisë së rëndë të shpërthimit të fabrikës së çmontimit të predhave, një tjetër ngjarje e rëndë trondit Vorën.Treni i linjës Tiranë-Durrës ka shtypur pasditen e djeshme dy gra të moshuara që ecnin të shkujdesura përgjatë shinave. Sipas Policisë së Tiranës ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:30, kur dy gratë Mate Buçpapa, 65 vjeçe dhe Marie Tuçi, 66 vjeçe gjetën vdekjen pas aksidentit në Qafë-Kashar. Policia e mbërritur në vendngjarje konstatoi se dy të moshuarat në momentin e aksidentit tragjik ndodheshin brenda trasesë duke ecur në këmbë, ndërsa kishin shpërfillur sirenën e trenit të linjës që udhëtonte nga kryeqyteti, drejt qytetit bregdetar të Durrësit. Pas kësaj, makinisti ka tentuar të frenonte por ka qenë e pamundur ndërsa dy gratë e moshuara janë përfshirë nga forca goditëse dhe janë gjetur të shtrira në shina. Sipas policisë treni pas disa miljesh hynte në stacionin e qytezës së Vorës ndërsa në momentin e aksidentit shpejtësia e tij po ngadalësohej. Pas aksidentit në vendngjarje mbërritën ekspertët kriminalistë dhe hetues të policisë së kryeqytetit, të cilët pasi këqyrën vendngjarjen morën në pyetje dëshmitarë okularë dhe makinistin e trenit. Ende mbrëmë nuk kishte një konkluzion përfundimtar për shkaqet e aksidentit pasi burime pranë hetimit pohuan se ekspertët që po hetojnë këtë çështje ndodhen në fazën e grumbullimit të provave dhe fakteve. Paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit kanë qenë dy viktimat që ecnin përgjatë shinave të shkujdesura duke shpërfillur sirenën dhe faktin që treni po u afrohej nga pas. Pak orë pas aksidentit trupat e pajetë të dy të aksidentuarave u dërguan prej policisë në morgun e kryeqytetit, ku ekspertët mjeko-ligjorë kryen autopsinë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Sipas tyre shkak për humbjen e jetës ishte përplasja me mjetin lëvizës në pjesën e përparme të tij, ndërsa më pas ato kanë marrë edhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëzimit mbi shina. Ky aksident vjen tre ditë pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të municioneve të artilerisë në fshatin Gërdec, si pasojë e së cilës u shkatërrua tërësisht ky fshat dhe u dëmtuan banesa në zonën përreth.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›