“Zv.ministri, 470 mijë euro për tenderin”
• Pesë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, të cilët lanë detyrën vetëm pasi u arrestuan, pritet të ulen në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës.Trazhgim Sokolaj Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e kryeqytetit përfundoi hetimet për abuzimet dhe korrupsionin me tenderët e rrugëve. Dosja penale me numër 2818 prej dy ditësh është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, të cilës i është kërkuar shqyrtimi i akuzave të ngritura ndaj shtatë të pandehurve. Të pandehurit e dosjes janë: Nikolin Jaka, ish-zv.ministër i Transporteve, Ilirian Berzani, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, tre zyrtarë të tjerë të këtij institucioni dhe dy biznesmenë, pronar firmash ndërtimi. Hetimet e Njësisë Task-Forcë të filluara në muajin gusht 2007, kanë zbuluar pazare mes zyrtarëve dhe firmave të ndërtimit për tenderët e rrugës Has-Qafë-Prushi, me vlerë 4.7 milionë euro dhe supervizionin e rrugës Durrës-Kukës, me vlerë 7 milionë euro. Zyrtarët u arrestuan në shtator të vitit 2007 në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Duar të Pastra”. AferatNë periudhën korrik-gusht 2007, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të zhvillonte dy tendera me vlera të konsiderueshme financiare. Para zhvillimit të tyre, sipas Prokurorisë, Ilirian Berzani, drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, ka zhvilluar një takim me pronarët e firmave të mëdha të ndërtimit. “Qëllimi i këtij takimi ka qenë ndarja e tenderëve që do të fitonte secila firmë. Që në këtë moment fillojnë veprimet kriminale të personave të pandehur, pasi në këtë takim është bërë marrëveshje për tenderët që do fitonte secila firmë, para se të zhvilloheshin procedurat dhe konkurrimi”, tha Prokuroria. Sipas saj, të gjitha veprimet e kryera më pas nga të akuzuarit, sipas pozicionit të gjithsecilit, kanë pasur për qëllim zbatimin e marrëveshjes së arritur në këtë takim. Sipas marrëveshjes, firma fituese e tenderit të rrugës Has-Qafë-Prushi, me vlerë 4.7 milionë euro, ishte paracaktuar të ishte bashkimi i kompanive “Arifaj” dhe “Vllazërimi”, ndërsa prokurimi do të bëhej në korrik 2007. “Pas përcaktimit të këtij qëllimi, drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Ilirian Berzani, ka filluar presionet ndaj firmave të tjera, duke u kërkuar të tërhiqeshin. Presioni është bërë nga drejtori i Rrugëve, duke u premtuar disa firmave se do të fitonin tenderin pasardhës dhe disa firmave të tjera se nëse nuk tërhiqeshin nuk do të fitonin asnjë tender”, pohoi akuza. Sipas saj, me disa prej firmave është marrë edhe zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka. Sipas njohjes me palët, ai ka hyrë në kontakt me përfaqësuesit e firmave duke u kërkuar atyre të tërhiqen, pasi ishte paracaktuar që fituese në tender të ishte “Vllazërimi” dhe “Arifaj”. Abuzimet“Gjatë zhvillimit të tenderit për rrugën Has-Qafë-Prushi, Skënder Bokçiu dhe Arjan Sheti, në emër të firmës ‘Arifaj’ kanë futur në konkurrim nëpërmjet Xhevahir Muçogllavës, një ofertë ekonomike të korrigjuar, e cila firmën e tyre e rendiste më lart se konkurrentët, duke e ngjitur disa vende në listën e klasifikimit paraprak”, thanë burimet. Të akuzuarit kishin mësuar ofertat e firmave të tjera konkurrente dhe kanë bërë ndryshimin për firmën “Arifaj”, në mënyrë që ajo të dominonte në konkurrim. Pas datës 3 gusht 2007, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ka kërkuar Skënder Bokçiut të siguronte mbështetjen e drejtorit të Rrugëve, Ilirian Berzani, që ecuria e procedurës të mos kishte probleme. Berzani në rast ankese nga firmat konkurrente kishte të drejtë të bllokonte procedurën dhe të krijonte një komision të dytë Vlerësimi me anëtarë të tjerë, që mund të zgjidhnin një firmë tjetër. Në ditët në vazhdim Bokçiu ka komunikuar me Ilirian Berzanin, të cilit i ka dhënë kapar 150 mijë dollarë të dorëzuara në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Bashkimit të firmave “Arifaj Vllazërimi” i ka kërkuar 10 për qind të shumës së tenderit me vlerë 4.7 milionë euro, pra 470 mijë euro edhe zv.ministri Nikolin Jaka. Në këtë cilësi ai i kishte premtuar firmës së do të ndikonte te drejtori i Rrugëve, që ai të mos nxirrte probleme duke bllokuar procedurën që nxirrte fituese subjektin “Arifaj Vllazërimi”. Në fakt, procedura është ndërprerë, pasi Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Transporteve filloi kontrollin dhe bllokoi gjithçka. “Aferë edhe me supervizionin e Durrës-Kukës”TIRANE – Prokuroria ka dokumentuar edhe shkeljet e parregullsitë me tenderin e zhvilluar për firmën fituese të supervizionit të rrugës Durrës-Kukës, me fond limit 7 milionë euro. “Sipas hetimeve, ish-drejtori i Rrugëve, Ilirian Berzani dhe ish-zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, kanë kontaktuar më parë me firmat e favorizuara prej tyre, duke u treguar atyre se si duhej të paraqisnin ofertat në tender, të cilat do t’i bënin favorite ato në raport me subjektet tjera pjesëmarrëse në konkurrim”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, gjatë hetimeve janë siguruar informacione rreth takimeve të zyrtarëve me firmat që paguanin ryshfet shumën prej 10 për qind të tenderit. Organi i akuzës ka dokumentuar gjithashtu edhe bisedat e zhvilluara mes zyrtarëve të arrestuar dhe përfaqësuesve të firmave pjesëmarrëse në tender, të cilat kishin pranuar të jepnin shumat e kërkuara të ryshfetit. Në tenderin e supervizionit të Durrës-Kukës, Ilirian Berzani akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” kurse Nikolin Jaka atë të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. t.s Të akuzuarit1. Nikolin JakaIsh-zv.ministër i TransporteveAkuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm” 2. Ilirian Berzani Ish-drejtor i Përgjithshëm i RrugëveAkuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”“korrupsion”3. Bashkim KamberiIsh-shefi i sektorit Juridik në Drejtorinë e RrugëveAkuzohet për “shpërdorim detyre”4. Xhevahir Muçogllava Ish-kryetar i Komisionit të Vlerësimit të OfertaveAkuzohet për “shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim”5. Arjan ShetiIsh-drejtor Juridik i Ministrisë së TransporteveAkuzohet për “shkelje të barazisë në tendera, në bashkëpunim”“korrupsion aktiv”6. Skënder BokçiuPronar i firmës “Arifaj” sh.p.kAkuzohet për “korrupsion aktiv”7. Isuf UkperajPronar i firmës “Vllazëria” sh.p.kAkuzohet për “korrupsion aktiv”