E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër të dehur, terror me armë në Vlorë

• VLORË – Katër persona, ndër ta edhe një punonjës policie, kanë krijuar terror dje në Vlorë, pasi kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli.Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në një lokal në lagjen “Pavarësia” të këtij qyteti. Sipas burimeve pranë vendit të ngjarjes, oficeri i policisë së Komisariatit të Fierit, Dorian Musaraj, së bashku me tre persona të tjerë, kanë darkuar në një lokal të kësaj lagjeje. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, pasi kishin konsumuar edhe alkool gjatë darkës njëri nga të pranishmit, në gjendje të dehur, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka filluar të qëllojë në drejtime të ndryshme brenda në lokal derisa ka zbrazur krejtësisht karikatorin e armës së tij. Si pasojë janë dëmtuar nga plumbat disa piktura të restorantit si edhe një vegël muzikore që ndodhej aty. E tmerrshme ka qenë situata për pronarët e lokalit, të cilët kanë mundur të fshihen, duke u shpëtuar plumbave. Më pas katër personat kanë dalë nga lokali. Personi, që kishte armën ka shkuar në një pikë karburanti që ndodhej fare pranë lokalit dhe ka filluar të kërcënojë me jetë rojën e tij, duke i vendosur armën në kokë. Në këtë kohë në vendngjarje kanë ardhur forcat e policisë. Mësohet se në momentet e ndalimit, një efektiv i policisë është goditur nga një prej të dehurve. Gjatë orëve të paradites në vendngjarje ka shkuar dhe një grup i ekspertizës policore i cili ka këqyrur vendin. Sipas pronarit të lokalit, dëmi i shkaktuar nga plumbat në lokal kap vlerën e 6 mijë eurove. Sipas policisë së Vlorës ka nisur hetimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë, ndërsa u lanë të lirë personat e tjerë, të justifikuar se ndodheshin në një festë familjare. Materialet për ngjarjen i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.          q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›